Şenhan Bolelli
17 Tetor 2017•Përditësim: 18 Tetor 2017
MADRID (AA) - Arrestimi i drejtuesve të organizatave joqeveritare katalonjase pro-pavarësisë nga Spanja ka shkaktuar fillimin e protestave në Katalonjë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Jordi Sanchez dhe Jordi Cuixart, liderët e organizatave joqeveritare pro pavarësisë "Asambleja Kombëtare e Katalonjës" (ANC) dhe "Omnium Cultural" u arrestuan dhe u dërguan dje në burg për dyshimin se ngritën popullin katalonjas kundër forcave të sigurisë.
Arrestimi i Sanchez dhe Cuixart shkaktoi protesta në të gjithë rajonin që nga nata e djeshme. Në shumë qytete të Katalonjës, si Barcelona, Girona dhe Tarragona, grupe të vogla të mbështetësve të pavarësisë u mblodhën në sheshe, ose para ndërtesave të qeverisë autonome dhe prefekturave duke u përpjekur që të tregonin reagimet e tyre duke përplasur tenxheret dhe tavat që kishin sjellë me vete.