Betül Yürük
09 Dhjetor 2016•Përditësim: 09 Dhjetor 2016
OKB (AA) – Përfaqësuesi i Posaçëm i OKB-së për Sirinë Staffan de Mistura në lidhje me zhvillimet në Siri ka thënë se “Mbase tani tani është koha e duhur për t’i rifilluar bisedimet politike”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një seancë të mbyllur të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) është diskutuar në lidhje me Sirinë.
Përfaqësuesi i Posaçëm i OKB-së për Sirinë Staffan de Mistura, në deklaratën për media pas seancës, është shprehur se ditën e nesërme në Gjenevë të Zvicrës SHBA-të dhe Rusia do të bisedojnë për tërheqjen e të gjitha grupeve të armatosura në lindje të Halepit.
Mistura ka rikujtuar se deri më tani nga zonat e kontrolluara nga opozitarët në lindje të Halepit janë larguar më shumë se 30 mijë persona. Ai ka theksuar se me ndalimin e të gjitha operacioneve ushtarake ruse, nga zona e rrethuar mund të largohen edhe rreth tetë mijë civilë të tjerë.
“Në pyetjen “A mund të garantoni se ndodhitë në Halep nuk do të reflektohen edhe në Idlib në ditët në vijim?”, Mistura u përgjigj se nuk mund të japë garanci për këtë gjë.
“Planifikoj të takohemi me ekipin e Trump”
Duke rekomanduar rifillimin e takimeve për paqe për gjetjen e zgjidhjes për krizën e Sirisë, Mistura tha se “Mbase tani tani është koha e duhur për t’i rifilluar bisedimet politike. Fitorja ushtarake nuk do të thotë paqe, paqja duhet fituar".
Mistura më tej shtoi se planifikon të takohet me ekipin e presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump në New York dhe Washington.
Ndërhyn Asambleja e Përgjithshme e OKB-së
Mbi 70 shtete të kryesuara nga Kanadaja dhe në të cilën merr pjesë edhe Turqia, do të mblidhen sot për të beseduar për mbrojtjen e civilëve në Halep.
Në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do të votohet projekt-rezoluta për arritjen e armëpushimit në Siri dhe dërgimin e ndihmave humanitare.
Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk kanë detyrime ligjore, megjithatë kanë rëndësi të madhe për ta shfaqur qëndrimin opinionit ndërkombëtar.