Bota

Merkel e shqetësuar për ndikimin rus në Siri

"Duke folur për pasojat gjeopolitike, ne duhet të kuptojmë se Rusia ka rritur ndjeshëm ndikimin e saj në rajon, së bashku me Iranin, pas tërheqjes së ushtarëve amerikanë", tha Merkel

Ayhan Şimşek  | 17.10.2019 - Përdıtësım : 17.10.2019
Merkel e shqetësuar për ndikimin rus në Siri

Berlin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka shprehur shqetësim për vendimin e SHBA-ve për tërheqjen e trupave nga Siria, duke argumentuar se kjo do të rrit më tej ndikimin e Rusisë dhe Iranit në rajon, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke iu drejtuar ligjvënësve në Bundestag para nisjes së saj për në samitin dy-ditor të Bashkimit Evropian (BE), Merkel kritikoi operacionin e Turqisë kundër organizatës terroriste, që po zhvillohet në veri të Sirisë për të pastruar elementet terroriste nga rajoni. Ajo shprehu shqetësime për tensionet e fundit SHBA-Turqi dhe vendimin e presidentit amerikan për tërheqjen e trupave amerikane nga rajoni.

"Duke folur për pasojat gjeopolitike, ne duhet ta kuptojmë se Rusia ka rritur ndjeshëm ndikimin e saj në rajon, së bashku me Iranin, pas tërheqjes së ushtarëve amerikanë. Dhe, pasojat e kësaj situate të re ende nuk janë të parashikueshme", tha Merkel.

Kancelarja gjermane përsëriti kritikat e saj për operacionin e Turqisë kundër grupit terrorist YPG/PKK në veri të Sirisë, duke argumentuar se kjo mund të çojë në një krizë humanitare dhe në paqëndrueshmëri të mëtejshme në rajon.

Merkel qëndroi e heshtur ndaj sulmeve terroriste të YPG/PKK-së që morën shumë jetë në Turqi, përndjekjes së grupit për kundërshtarët politikë dhe pakicat fetare në Siri.

Inteligjenca e Brendshme e Gjermanisë (BfV) e përshkroi grupin terrorist PKK dhe bashkëpunëtorët e tij sirianë, YPG-në dhe PYD-në, si "organizata simotra", në raportet e fundit të publikuara nga agjencia në faqen e internetit.

Politikanët turq kanë kritikuar në vazhdimësi Berlinin për tolerimin e veprimtarive të PKK-së, megjithëse grupi terrorist është ndaluar në Gjermani që nga viti 1993.

Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin "Burimi i Paqes" në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurtë të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.

Ankaraja vazhdimisht ka potencuar se operacioni nuk ka në shënjestër kurdët, por synon ta pastrojë rajonin nga organizata terroriste PKK dhe dega e saj siriane YPG.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra dhe fëmijë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.