Agim Sulaj
15 qershor 2023•Përditësim: 15 qershor 2023
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur konferencë për media bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, një ditë pasi tre zyrtarë policorë u kidnapuan nga forcat serbe në veri të Kosovës, raporton Anadolu.
Kryeministri Kurti ka thënë se rasti i djeshëm ishte agresion ndaj Kosovës, hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës që po lufton krimin dhe intencë për eskalim dhe destabilizim në kohën kur Kosova ka propozuar plan pesë-pikësh për depërshkallëzim, deeskalim dhe normalizim.
"Serbia nuk ka ndryshuar në qëllime, motive dhe apetite, nuk është se po na befason me sjelljen e saj. Ajo çfarë është e çuditshme është heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtar ndaj veprimeve të Serbisë e cila vazhdimisht kërkon pretekste për eskalim dhe destabilizim, e kur nuk ka është e gatshme dhe e aftë t'i krijojë ato. Rrëmbimi i tre policëve të Kosovës është dëshmia më e qartë dhe më e freskët për këtë", theksoi Kurti.
Ai tha se për arsye të sigurisë si hap i menjëhershëm dhe domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë duke kufizuar qarkullimin si masë sigurie dhe jo si masë ekonomike dhe duke shtuar kontrollet e automjeteve që vijnë nga Serbia, sidomos ato transportuese. Ai tha se veprimet e radhës do të ndërmerren duke bashkëpunuar me institucionet përkatëse.
Kurti para të pranishmëve në konferencë shfaqi edhe një hartë të vogël ku siç tha ai zyrtarët policorë janë kidnapuar nga Kosova dhe nuk bëhet fjalë për arrestim të tyre në territorin e Serbisë.
"Në vendin e ngjarjes kanë qenë KFOR-i, ka qenë Policia e Kosovës dhe aty janë gjetur edhe gjurmët e çizmeve të këpucëve të huaja në drejtim të Serbisë, por janë gjetur edhe prangat lidhëse të plastikës. Pra, si është e mundur që ata pretendojnë se janë arrestuar policët në Serbi ku lidhëset e tyre të plastikës si pranga janë pikërisht në këtë vendin ku po themi ne një kilometër, 300 metra dhe 670 metra larg kufirit me Serbinë e në brendi të territorit të Kosovës", tha Kurti.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se javëve të fundit Kosova është përballur me tentative për desbtalizim të vendit të cilat adresën e kanë në Beograd. Ai theksoi se tre javët e fundit tentativat për destabilizim kanë qenë më aktive dhe "natyrisht kjo vjen si revoltë e vendimeve tona të vënies së ligjit dhe rendit në atë zonë".
"Kidnapimi i ndodhur ditën e djeshme është zhvilluar sipas një plani të planifikuar nga Njësiti Special Anti-terror siç njihet - SAJ dhe Njësiti Special i Ushtrisë së Serbisë – Kobra në zonën kufitare Bare/Tresave në komunën e Leposaviqit", tha Sveçla.
Ministri duke folur për protestat në veri të vendit tha po ashtu se ato nuk janë bërë nga qytetarë të thjeshtë por të prira nga disa grupe atje si "Rojet e Urës", "Mbrojtja Civile", "Night Wolfs", etj.
Një ditë para kidnapimit të zyrtarëve policorë në territorin e Kosovës, Policia e Kosovës arrestoi në veri të vendit një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të Misionit të NATO-s (KFOR), Milun Milenkoviq – Llune, për të cilin ka thënë se është një nga udhëheqësit e formacionit kriminal "Mbrojtja Civile".
Ministri Sveçla ka theksuar se Milenkoviq ka terrorizuar ndër vite qytetarë dhe ka sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe institucione.