Bota

Kosovë, punëtorët e televizionit shtetëror protestuan për paga

"Gazetar pa pagë = demokraci pa zë", "Punëtorët e RTK-së, jo viktima të krizës", "Kërkojmë dinjitet, jo mëshirë", "RTK nuk hesht edhe në errësirë", ishin disa nga parullat e protestuesve

Agim Sulaj  | 06.11.2025 - Përdıtësım : 06.11.2025
Kosovë, punëtorët e televizionit shtetëror protestuan për paga Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Punëtorët e Radio Televizionit publik të Kosovës (RTK), kanë protestuar para objektit të tyre të punës duke kërkuar alokimin e pagave për stafin e këtij televizioni, raporton Anadolu.

Dhjetëra punëtorë dolën për të shprehur pakënaqësinë me vonësën gjashtë ditore të pagave të cilat punëtorët nuk i kanë marrë ende për shkak të bllokimit institucional në vend.

"Gazetar pa pagë = demokraci pa zë", "Punëtorët e RTK-së, jo viktima të krizës", "Kërkojmë dinjitet, jo mëshirë", "RTK nuk hesht edhe në errësirë", ishin disa nga parullat e protestuesve.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), Gëzim Bimbashi u ka bërë thirrje, Kuvendit, Qeverisë dhe menaxhmentit të RTK-së që të reflektojnë, e në rast se nuk bëhet kjo atëherë ata kanë paralajmëruar grevë të përgjithshme.

"Sot jemi këtu jo për luks, jo për rritje pagash fatkeqësisht por për një të drejtë themelore, për pagën tonë që na takon me ligj. Në vend që të protestojmë për përmirësimin e kushteve të punës apo rritje të pagave, ne jemi të detyruar të dalim në rrugë për pagat që i kemi fituar me djersë dhe përkushtim", tha Bimbashi duke shtuar se RTK do të mbrohet dhe nuk do të lejohet të shkelet dinjiteti i punëtorëve.

Nënkryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Naile Dema-Selmani i ka bërë thirrje urgjente kryeministrit në detyrë, Albin Kurti që t'i alokojë urgjentisht pagat për punëtorët e RTK-së.

"Asociacioni i Gazetarëve kërkon në mënyrë urgjente dhe të padiskutueshme nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, që thjesht t'i alokojë pagat për punëtorët e RTK-së, ta bëjë njësoj siç bëri herën e kaluar dhe kështu të ndërpritet presioni edhe financiar që po bëhet ndaj punonjësve medial", tha ajo.

Pagat e punëtorëve të RTK-së kanë qenë pikë diskutimi midis përfaqësuesve partiakë gjatë javës së kaluar në Kryesinë e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha deklaroi javën e kaluar se ka bërë përpjekje që t'i bindë përfaqësuesit politikë që t'i votojnë disa urgjenca shtetërore, sikurse buxheti i shtetit për vitin 2026, mjetet financiare për RTK-në si dhe buxhetin për tre komuna, por, tha se partitë tjera nuk janë pajtuar të votojnë në Kuvend pa pasur një qeveri.

Edhe presidentja Vjosa Osmani ka thënë se do të bëjë përpjekje për miratimin e këtyre urgjencave, por deri më tani partitë e mëdha shqiptare, përpos Lëvizjes Vetëvendosje, kanë këmbëngulur që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme sa më shpejtë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın