Ekip
06 Nëntor 2020•Përditësim: 07 Nëntor 2020
India gjatë 24 orëve të fundit ka regjistruar 47.638 raste të tjera të koronavirusit të ri (COVID-19), duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në mbi 8.4 milionë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, vendi regjistroi 670 vdekje të reja nga COVID-19, duke e çuar totalin e tyre në 124.985.
Sipas autoritetet të shëndetësisë, në Indi ka 520.773 raste aktive me COVID-19 ndërsa numri i pacientëve të shëruar ka arritur në 7.76 milionë.
Përderisa India në përgjithësi po dëshmon një rënie të vazhdueshme të rasteve, shumë qytete, përfshirë kryeqytetin New Delhi, po regjistrojnë një rritje të madhe të infeksioneve.
Zyrtarët në shumë shtete dhe qytete, përfshirë në New Delhi, kanë ndaluar fishekzjarret pasi ekspertët kanë frikë se përdorimi i tyre gjatë festave mund të rrisë nivelet e ndotjes, duke i vendosur kështu njerëzit në rrezik.
Kryeministri i New Delhit, Arvind Kejriwal dje në rrjetet sociale tha se rastet e koronavirusit janë në rritje për shkak të sezonit të festave dhe ndotjes, duke shtuar se ata vendosën për ndalimin e fishekzjarreve dhe për rritjen e infrastrukturës mjekësore në spitalet publike.