Ekip
13 korrik 2020•Përditësim: 14 korrik 2020
Me 28.701 raste të zbuluara gjatë 24 orëve të fundit, India për ditën e pestë me radhë regjistroi rritjen më të madhe të rasteve të konfirmuara me COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).
Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me koronavirus në vend është rritur në 878.254, ndërsa numri i përgjithshëm i vdekjeve në 23.174, me 492 vdekje të reja të raportuara.
Sipas të dhënave nga autoritetet shëndetësore, numri i rasteve aktive me koronavirus në Indi është 301.609, ndërsa numri i pacientëve të shëruar 553.471, pasi 19.235 pacientë të tjerë u shëruan dhe u lëshuan në shtëpi.
Ministri i Shëndetësisë i Indisë, Harsh Vardhan, tha se protokolli klinik i vendit të tij është përqendruar në zbulimin e hershëm përmes "testimit të gjerë, mbikëqyrjes, gjurmimit të shpejtë dhe menaxhimit klinik të rasteve".
Megjithatë, numri i rasteve aktive është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Të dhënat tregojnë se më 4 qershor, kjo shifër ishte 100 mijë, pastaj 23 ditë më vonë arriti në 200 mijë, ndërsa 15 ditë më vonë 100 mijë raste iu shtuan këtij numri, duke shkuar në mbi 300 mijë.
Shteti më i prekur, Maharashtra, raportoi numrin më të lartë të rasteve të reja me koronavirus, respektivisht 7.827 raste në një ditë të vetme. Ky shtet aktualisht ka 103.813 raste aktive nga gjithsej 254.427 raste të konfirmuara, si dhe 10.289 vdekje.