Ekip
16 nëntor 2021•Përditësim: 16 nëntor 2021
India sot ka raportuar rënie të numrit të rasteve me COVID-19, pasi 8.865 persona u infektuan në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se numri i rasteve të martën ishte më i ulëti në 287 ditët e fundit, gjegjësisht nëntë muaj e gjysmë.
Kjo është hera e parë në valën e dytë të pandemisë në Indi që numri i rasteve ditore ka rënë nën 10 mijë.
Numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 deri më tani ka arritur në 34.4 milionë ndërsa numri i viktimave në 463.852, përfshirë 197 vdekje të reja.
“Numri aktiv i rasteve me COVID-19 në Indi është 130.793, më i ulëti në 525 ditët e fundit”, thuhet në njoftim.
India përjetoi rritje të paparë të infeksioneve në fillim të vitit ndërsa numri i rasteve në një ditë tejkaloi numrin prej 400 mijë.
Edhe pse India tani po regjistron rënie të numrit të rasteve, në pjesën më të madhe të vendit ekziston frika se numri i rasteve mund të rritet për shkak të sezonit të festave.