BRUKSEL (AA) – Simpatizantët e PKK-së të cilët kanë organizuar demonstrata kanë terrorizuar Evropën duke u arsyetuar me operacionin ndaj deputetëve të HDP-së të cilët refuzuan të paraqiteshin në gjykatë.
Përkrahësit e terrorit të cilët kanë goditur dy shtetas turq, kanë organizuar sulm me koktej molotovi në ndërtesat e ambasadës dhe konsullatës, raporton Anadolu Agency (AA).

Simpatizantët e PKK-së të cilët jetojnë në Evropë kanë organizuar demonstrata pas arrestimit të deputetëve të HDP-së. Në demonstrata, edhe pse PKK është e shpallur si organizatë terroriste nga Bashkimi Evropian, u lejua mbartja e pëlhurave që simbolizojnë PKK-në. Ndërsa nuk u morën masa të mjaftueshme ndaj simpatizantëve të PKK-së, ku ditët e fundit janë regjistruar raste me përmbajtje dhune.
Britani
Duke marrë si arsye operacionin ndaj deputetëve të HDP-së në Turqi, simpatizantët e PKK-së dje organizuan marsh në kryeqytetin britanik, Londër, ku disa demonstrues sulmuan fizikisht dy shtetas të Turqisë. Njëra nga viktimat e sulmit, Ceylan Nas (25), e cila ndjek studimet në Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Britani, duke shpalosur informacione në lidhje me rastin tha se nuk u është pranuar ankesa të cilën e kishin parashtruar në policinë britanike së bashku me të fejuarin Burak Taş (28) pas sulmit.
Nas tregoi se me grupin që mbarte pankarta dhe hidhte slogane antiturke janë përballur kur kishin dalur nga stacioni i metrosë Oxford Circus. Ajo tha se kanë dashur të bëjnë ca fotografi dhe për këtë kishte lindur zënka. Nas njoftoi se demonstruesit hidhnin slogane me përmbajtje fyese që shënjestronin presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe qeverinë, duke shtuar se për këtë iu janë kundërpërgjigjur me fjalë demonstruesve.
Ajo tregoi se njëri nga demonstruesit kishte sulmuar të fejuarin e saj. “Hyra në mes të fejuarit tim dhe sulmuesit. Mendova se policia do t’i ndante, por nuk ndodhi kështu. Nga pas, të fejuarin tim e sulmuan edhe katër persona të tjerë. Atë e tërhoqën zvarrë drejt një shitoreje, e shtrënguan para eskalatorit dhe e goditën. Policia vetëm e mbylli derën e shitores dha na mbajti brenda gjysmë ore. Më pas na larguan nga dera e pasme dhe na hipën në taksi”, tha Nas.
Ceylan Nas theksoi se kishte ngelur mes sulmuesve dhe të fejuarit të saj dhe në këtë mënyrë ishte goditur edhe ajo. Ajo u shpreh se e ka të lënduar krahun dhe ka vështirësi ta lëvizë.
Po ashtu, edhe në protestën e organizuar ditën e premte, simpatizantët e PKK-së sulmuan Ambasadën e Turqisë në Londër me gurë dhe vezë. Gjatë incidentit u lëndua lehtë edhe një polic britanik pasi një objekt e qëlloi në kokë.
Francë
Pas operacionit ndaj HDP-së, një grup simpatizantësh të PKK-së mbrëmjen e së enjtes sulmuan me koktej molotovi Ambasadën e Turqisë në Paris. Sulmi shkaktoi dëme të vogla në ndërtesën e ambasadës.
Mësohet se zyrtarët nga ambasada kanë ndërmarrë iniciativë të takohen me autoritetet franceze për gjetjen e fajtorëve sa më parë. Ende askush nuk është arrestuar.
Ndërkaq, natën mes së shtunës dhe së dielës, me koktej molotovi u sulmua edhe Kryekonsullata e Turqisë në Nantes. Sulmi nuk ka shkaktuar dëme, ndërkohë që askush nuk është arrestuar.
Nga ana tjetër, një grup simpatizantësh të PKK-së që deshën të marshojnë drejt Kryekonsullatës së Turqisë në Marsej, u ndaluan nga policia.
Gjermani
Edhe në Gjermani, simpatizantët e PKK-së dolën në rrugë pas operacionit ndaj HDP-së. Mes policisë dhe simpatizantëve të organizatës terroriste që ishin drejtuar kah Kryekonsullata e Turqisë në Frankfurt, ndodhi konflikt. Simpatizantët e PKK-së u përballën me intervenimin e policisë gjermane, e cila kishte marrë masa të gjera sigurie në zonë. Policia gjermane bëri intervenime të rrepta ndaj simpatizantëve të PKK-së të cilët deshën të shkaktojnë incidente.
Gjithashtu, në qytetin e Hannoverit iu vu flaka makinës me targa diplomatike që i përkiste personelit të Kryekonsullatës. Makina e parkuar para Kryekonsullatës së Turqisë në Hannover u soll në gjendje të papërdorshme mesnatën e së shtunës nga person apo persona të panjohur. Policia e Hannoverit ka nisur hetim në lidhje me rastin. Vëmendje tërhoqi demonstrate e rreth 300 simpatizantëve të PKK-së që ishin mbledhur mbrëmjen e së premtes.
Për më tepër, simpatizantët e organizatës terroriste kanë sulmuar edhe një punonjës të konsullatës i cili po shkonte drejt pritjes solemne të organizuar në Kryekonsullatën e Hannoverit me rastin e Festës së Republikës.
Austri
Në rajonin Rankweil/Kunert në shtetin Voralberg të Austrisë, u organizua sulm ndaj një xhamie të Bashkësisë Islame Turke në Austri (ATIB). Mbrëmjen e 3 nëntorit, një person i paidentifikuar ka shkruar “HDP” në tabelën e xhamisë. Nga xhirimet e kamerës së sigurisë së xhamisë, shihet një person duke shkruar me sprej në tabelën e xhamisë.
Abdullah Horoz, koordinatori rajonal i ATIB në Voralberg, tha se “Fatkeqësisht, problemet që kanë shkaktuar kohëve të fundit në Turqi organizatat terroriste dhe simpatizantët e tyre, janë përhapur edhe këtu."
Suedi
Me rastin e hapjes së shtabit të Unionit të Demokratëve Turq Evropianë (UETD) në qytetin Gotenborg të Suedisë ishte planifikuar ceremoni e hapjes, e cila u anulua për shkak të kërcënimeve me vdekje nga simpatizantët e PKK-së.
Kryetari i shtabit të UETD-së në Gotenborg, Harun Uzel tha përmes një deklarate se disa persona në media kanë shënjestruar organizatën dhe programin. “Me këtë, një grup prej 150 personash simpatizantë të PKK-së kanë bastisur ndërtesën e bashkisë në qarkun Kunglev. Në të gjithë xhamat e ndërtesës u ngjitën afishe me mbishkrimin ‘Këtu nuk do ta lejojmë ISIS-in të flasë’”, vazhdoi ai.
Uzel u shpreh se dhjetra herë kanë marrë kërcënime me vdekje. “Krahas të gjithave, ne kishim rrezikuar që programin tonë ta realizojmë nën siguri intensive policore. Megjithatë, policia paralajmëroi se turma mund të rritet deri në dy-tre mijë. Ata u shprehën se do ta kenë të vështirë përballë një turme kaq të madhe. Kështu, ne anuluam hapjen e lokalit tonë”, tha Uzel.