Protestë pranë Gjykatës Speciale në Hagë
Në këtë protestë paqësore u bë thirrje që të ndalen padrejtësitë në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, që po mbahen në Hagë, si dhe luftëtarëve të tjerë

Prishtinë
Mijëra qytetarë nga Kosova dhe mërgimtarë nga diaspora kosovare janë bërë bashkë pranë Dhomave të Specializuara me seli në Hagë për të protestuar kundër kësaj gjykate në kohën kur aty po mbahen në paraburgim ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), transmeton Anadolu.
Në këtë protestë paqësore në të cilën morën pjesë edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së, u bë thirrje që të ndalen padrejtësitë në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, që po mbahen në Hagë, si dhe luftëtarëve të tjerë.
Protestuesit shprehën revoltën e tyre me dhjetëra slogane të ndryshme në kundërshtim të veprimeve të Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë dhe në mbështetje të luftës së drejtë dhe të pastër të UÇK-së.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se po flasin për drejtësinë që i është mohuar luftës së shenjtë të UÇK-së. Ai ka deklaruar se liria nuk erdhi si dhuratë, por si rezultat i sakrificës dhe gjakut të vajzave dhe djemve të rinj, si dhe ka theksuar se Evropa nuk duhet të lejojë që drejtësia të shndërrohet në instrument politik.
Ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch, i cili mori pjesë në protestë, tha se UÇK-ja ishte këmba e NATO-s në tokë.
“Ta quash UÇK-në organizatë kriminale ky është ofendim edhe për NATO-n, sepse NATO nuk bashkëpunon me organizata kriminale”, tha ai.
Protesta u përkrah edhe nga disa parti politike nga Kosova.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.