BALLKANI

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ngre aktakuzë kundër deputetit Simiq

Siç njofton Prokuroria Themelore, deputeti i Listës Serbe akuzohet për veprën penale “pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”

Agim Sulaj  | 13.06.2025 - Përdıtësım : 13.06.2025
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ngre aktakuzë kundër deputetit Simiq

Prishtinë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiq, për sulm ndaj gazetarëve në Leposaviq në vitin 2023, transmeton Anadolu.

Siç njofton Prokuroria Themelore, Simiq akuzohet për veprën penale “pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

Sipas aktakuzës, më 16 qershor të vitit 2023, gjatë protestave kundër vizitës së ministrit Elbert Krasniqi, Simiq ka marrë pjesë në një turmë dhe kur ministri ka dalë nga objekti i komunës, persona të maskuar kanë sulmuar me shok-bomba.

Pasi ka kaluar vetura zyrtare, Simiq akuzohet se i ka dhënë urdhër turmës që t’i sulmojnë mediat të cilat janë sulmuar me shok-bomba, grushte, shqelma e mjete të forta, me ç’rast edhe janë lënduar dy gazetarë.

I pandehuri tjetër në këtë rast U.V. akuzohet se ka kryer veprën sulm dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale.

Simiq dhe kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, ditë më parë u konfirmuan si të ftuar për intervistim për tri vepra penale. Edhe deputeti Igor Simiq ka thënë se është ftuar nga Prokuroria Speciale për intervistim për ngjarjet e dhjetorit të vitit 2022. Teksa Igor Simiq ka thënë se do të dëshmojë, deputeti Slavko Simiq pati refuzuar të flasë për gazetarët në fillim të qershorit.

Slavko Simiq u zgjodh sërish deputet në radhët e Listës Serbe në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.