Prishtinë, mbahet minimaratona humanitare “Vrapo Babadimër”
Ngjarja festive filloi nga sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë, ku qindra qytetarë, fëmijë dhe të rritur morën pjesë duke përshkuar rrugët e kryeqytetit nën moton “10 vite, 1 mision!”, për të shënuar këtë përvjetor jubilar të aktiviteteve humanitare
Prishtinë
Në kryeqytetin kosovar është mbajtur edicioni jubilar i 10-të i minimaratonës humanitare “Vrapo Babadimër”, me qindra pjesëmarrës të veshur me kostume të babadimrit që vrapuan për të mbledhur donacione për familjet në nevojë, raporton Anadolu.
Ngjarja festive filloi nga sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë, ku qindra qytetarë, fëmijë dhe të rritur morën pjesë duke përshkuar rrugët e kryeqytetit nën moton “10 vite, 1 mision!”, për të shënuar këtë përvjetor jubilar të aktiviteteve humanitare.
Pjesëmarrësit kanë blerë kostumet e babadimrit për t’u bërë pjesë e garës, ndërsa të gjitha të ardhurat nga shitja e tyre do të shkojnë për të ndihmuar familjet në nevojë dhe fëmijët e prekur nga sëmundje serioze në Kosovë.
Përveç stafit të organizatës joqeveritare organizuese të ngjarjes, pjesëmarrës ishin edhe grupe lokale dhe entuziastë të ndryshëm, ndërsa 'Oldtimer Club Kosova' shfaqi një koleksion veturash klasike si pjesë e ngjarjes, duke sjellë një element atraktiv jo-sportiv në këtë aktivitet humanitar.
Ky aktivitet, i cili është zhvilluar nga viti 2016, tashmë është kthyer në një traditë dhjetori në Prishtinë, duke kombinuar sportin me solidaritetin social për të sjellë gëzim dhe mbështetje konkrete për familjet në vështirësi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
