BALLKANI

Murati: Problemi i transportit publik në Prishtinë i vetëshkaktuar

“Kjo do të ndodhte edhe sikur të kishte buxhet të miratuar për vitin 2025 për komunën e Prishtinës, sepse, siç e dini edhe ju, ka pasur vendime elektorale për të liruar nga pagesa shumicën e kategorive të qytetarëve”, tha Murati

Agim Sulaj  | 24.11.2025 - Përdıtësım : 24.11.2025
Murati: Problemi i transportit publik në Prishtinë i vetëshkaktuar

Prishtinë

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në një konferencë për media tha se problemi i transportit publik në Prishtinë është problem i vetëshkaktuar, raporton Anadolu.

Sipas Muratit, çështja e buxhetit të Komunës së Prishtinës po keqpërdoret për qëllime elektorale nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila qeverisë në Komunën e Prishtinës.

“Kjo do të ndodhte edhe sikur të kishte buxhet të miratuar për vitin 2025 për komunën e Prishtinës, sepse, siç e dini edhe ju, ka pasur vendime elektorale për të liruar nga pagesa shumicën e kategorive të qytetarëve. Kjo ka rezultuar që shumica e qytetarëve të mos paguajnë për bileta dhe kësisoj barrën e ka marrë përsipër komuna e Prishtinës në një kohë kur nuk ka pasur buxhet të miratuar. Pra, kryetari i Komunës së Prishtinës, për shkak të vendimeve elektorale e ka futur komunën në shpenzime pa mbulesë”, tha Murati.

Ai tha se një gjë e tillë e ka rritur obligimin financiar pasi që komuna nuk ka pasur buxhet të miratuar dhe ka operuar në situatë emergjente me 1/12 e buxhetit.

Problemi i dytë për këtë çështje, sipas Muratit, është edhe mos votimi i buxhetit për Komunën e Prishtinës në Kuvendin e Kosovës.

Ai tha se buxheti për Prishtinën ishte miratuar me vonesë dhe në mënyrë që të hynte në fuqi buxheti, duhej edhe miratimi në Kuvendin e Kosovës, seancë të cilën sipas Muratit partitë e ish-opozitës, përfshirë partinë që udhëheqë në Komunën e Prishtinës, e bojkotuan këtë pikë.

Murati u pyet edhe për krizën që po kalon Radio Televizioni i Kosovës (RTK) me mos marrjen e pagave për 700 punëtorët e televizionit shtetëror.

Ai tha se janë duke provuar të gjejnë një zgjidhje për RTK-në përmes kursimeve të Qeverisë dhe shtoi se përgjegjësia duhet të jetë edhe e partive të tjera të cilat refuzuan të votonin në Kuvend për alokimin e buxhetit të RTK-së.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.