Agim Sulaj
28 Maj 2019•Përditësim: 28 Maj 2019
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore Prishtinë kanë filluar një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës i cili ka rezultuar me ndalimin e disa zyrtarëve policorë dhe disa qytetarëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton Policia e Kosovës në një komunikatë, këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disa mujor i IPK-së dhe policisë i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe disa qytetarëve në vepra si “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, “kontrabandim me mallra”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “dhënie e ryshfetit” dhe “tregti e ndaluar”.
“Edhe përkundër hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, operacioni policor është duke vazhduar, përfshirë arrestimin dhe kontrollin e disa lokacioneve të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e dëshmive relevante, përfshirë edhe armë të gjata”, njofton komunikata.
Në komunikatë gjithashtu thuhet se, “Policia e Kosovës në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe IPK-në, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme, pa marrë parasysh përfshirjen e personave në raste të tilla penale”.
Lidhur me detajet rreth realizimit të këtij operacioni të gjerë, policia ka paralajmëruar se do të mbajë një konferencë të përbashkët ku pritet të marrin pjesë prokuroria, policia dhe Inspektorati Policor, për të dhënë më shumë detaje rreth këtij aksioni.