Kosovë, arrestohet një person nën dyshimet për krime lufte
Siç njofton Prokuroria e Kosovës, i arrestuari dyshohet për krime lufte kundër popullsisë civile, të kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë

Prishtinë
Me urdhër të Prokurorisë Speciale, hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, të premten kanë arrestuar personin me inicialet R.D., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim lufte kundër popullsisë civile”, transmeton Anadolu.
Siç njofton Prokuroria e Kosovës, R.D., është ndaluar nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile, të kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Për këtë rast, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht hetuesit nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Luftës, është duke ndërmarrë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe legjislacionin në fuqi.
Muajt e fundit në Kosovë është shënuar rritje e rasteve të arrestimeve nën dyshimin për krime të luftës.
Më 9 shtator edhe Policia serbe e ka arrestuar një burrë në pikëkalimin kufitar me Kosovën, në Merdare, nën dyshimin për “krime lufte” gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-’99.
Ministria e Brendshme e Serbisë nuk e bëri të ditur kombësinë e të dyshuarit, por e identifikoi atë me inicialet H.H, 77-vjeçar, derisa tha se ai dyshohet se “në qershor të vitit 1999, në Podujevë, në bashkëpunim me disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ka vrarë me armë zjarri një civil serb”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.