SHBA-ja pezullon dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën
"Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet mbi një synim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si themel për mirëqenie të përbashkët ekonomike", thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë

Prishtinë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet, transmeton Anadolu.
Ambasada amerikane në Prishtinë nëpërmjet një njoftimi për media, tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë "rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta".
"Ne mbetemi të përkushtuar për të avancuar interesat e përbashkëta që ndajnë Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet mbi një synim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si themel për mirëqenie të përbashkët ekonomike", thuhet në reagim.
Ambasada amerikane tha të premten se dialogu strategjik ishte menduar për të forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike në të mirë të popullit amerikan dhe kosovar.
"Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite", tha ambasada duke shtuar se shpreson që dialogu të vazhdojë në të ardhmen "kur kushtet të jenë të përshtatshme".
Kosova dhe SHBA-ja pritej ta finalizonin dialogun strategjik këtë vit, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati njoftuar në janar për arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve për një proces të tillë.
Dialogu strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.
Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Washington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash përfshirë mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.