Kosovë, shënohet Dita Botërore e Turizmit
Kreu i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit në Kosovë tha se “Kompleksi memorial Adem Jashari diku një milion turistë i pret brenda vitit”
Prishtinë
Oda e Hotelerisë dhe Turizmit në Kosovë bashkë me akterë të ndryshëm si dhe përfaqësues institucionesh kanë shënuar sot 27 shtatorin – Ditën Botërore të Turizmit me temën “Turizmi dhe Transformimi i Qëndrueshëm”, raporton Anadolu.
Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, tha se transformimi i qëndrueshëm në turizëm nënkupton zhvillimin duke pasur kujdes ruajtjen e burimeve natyrore.
“Duke u zhvilluar, ne duhet të kemi kujdes në ruajtjen e burimeve natyrore dhe kulturore. Duhet të kemi kujdes balancimin e përfitimeve ekonomike dhe ndikimet sociale-mjedisore”, tha Sogojeva.
Sipas Sogojevës, Kosova me trashëgiminë e saj kulturore dhe historike prinë në Ballkan për vizitorë. “Kompleksi memorial Adem Jashari diku një milion turistë i pret brenda vitit”, shtoi Sogojeva.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, tha se turizmi nëse zhvillohet pa planifikim, ose si qëllim ka vetëm fitimin mund të sjellë dëme të pariparueshme, sipas tij duke dëmtuar atë që njeriu nuk e krijon dhe as nuk e dominon dot: resursin natyror.
Malaj tha se edhe në Shqipëri turizmi ka njohur një hov cilësor dhe zhvillimor në turizëm.
“Kemi arritur në një moment shumë të veçantë sa i takon turizmit, qoftë turizmit detar qoftë kulturor, qoftë turizmit malor. Shqipëria po bënë hapa të sigurt përpara në fushën e turizmit. Dy vitet e fundit, në 2023 dhe 2024, numri i turistëve të huaj ka pësuar një rritje galopante me deri në 12 milionë turistë të huaj, pra, e kemi parë turizmin vërtetë si një degë të ekonomisë”, tha Malaj.
Malaj theksoi se ai personalisht është më i kënaqur me cilësinë e shërbimit në Kosovë se sa në Shqipëri sa i përket turizmit dhe për këtë shtoi se në Shqipëri duhet rritur cilësia e shërbimit
Ai shtoi se Kosova ka potencial akoma “të pashfrytëzuar” në turizëm dhe ka të mundur të mësoj shumë edhe nga gabimet e vendet tjera në rajon dhe më gjerë.
Në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Turizmit e cila u themelua nga Organizata e Kombeve të Bashkuara më 27 shtator 1980.
27 shtatori është përzgjedhur për të përkuar me një moment të rëndësishëm në turizmin botëror, përvjetorin e miratimit të Statutit të Turizmit Botëror më 27 shtator 1970.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
