Shkarkohet nga detyra kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj
Vendimi për shkarkimin e kryebashkiakut Veliaj është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave pas propozimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës

Tiranë
Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur të shkarkojë nga detyra kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim, raporton Anadolu.
Vendimi për shkarkimin e kryebashkiakut Veliaj është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave pas propozimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Shkarkimi i kryebashkiakut të Tiranës u konfirmua për Anadolu nga burime zyrtare të Qeverisë së Shqipërisë.
Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, vendimi i sotëm mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese.
Këshilli Bashkiak i Tiranës më 23 shtator miratoi projektvendimin "Për propozimin për shkarkim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj", me argumentin se "kryeqyteti nuk ka kryetarin e saj të zgjedhur për shkak të procesit penal ndaj tij".
Në lidhje me çështjen në fjalë, në një takim dje në selinë e partisë që ai drejton, Partinë Socialiste, kryeministri Edi Rama u shpreh se Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi shkarkimin e kryetarit në mungesë për t'i hapur rrugë zgjedhjeve të reja.
"Pas 7 muajsh pa një kryetar bashkie të votuar në krye të detyrës dhe po ashtu pa një kryetar bashkie të dënuar nga drejtësia lidhur me detyrën, u detyruam të marrim një hap të debatueshëm në raport me Erion Veliajn, por të detyrueshëm në raport me fatin e kryeqytetit të Shqipërisë", tha Rama.
- Arrestimi i kryebashkiakut Veliaj
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, është arrestuar më 10 shkurt, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion dhe pastrim parash dhe aktualisht ndodhet në paraburgim.
Ndërkohë, ndaj bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, është vendosur masa "ndalim i daljes jashtë shtetit" dhe "detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore", e dyshuar për disa vepra penale.
Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015, ndërkohë ka mbajtur post edhe në Qeverinë e Shqipërisë, si dhe ka qenë edhe deputet.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.