Agim Sulaj
21 korrik 2022•Përditësim: 22 korrik 2022
Me këngë dhe valle popullore shqiptare është hapur edicioni i dytë i festivalit “Prishtina Gastronomy Festival” me moton “Bukë e Kripë e Zemërbardhë” në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në hapjen e këtij festivali që do të mbahet pranë Komunës së Prishtinës kanë marrë pjesë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, zyrtarë komunalë, valltarë e qytetarë.
Përmes Prishtina Gastronomy Festival do të bëhet bashkimi i qyteteve e kulturave nga i gjithë rajoni, ku shumëllojshmëria e ushqimeve, recetave, këngëve e valleve, synojnë të ofrojnë argëtim për gjenerata të ndryshme.
Nata e parë e festivalit ka filluar me natyrë argëtuese nën tingujt e këngëve të Merita Halilit dhe Raif Hysenit, ndërsa gjatë ditëve në vijim në këtë festival do performojnë edhe grupe të ndryshme dhe këngëtarë nga Tirana, Vlora, Struga e qytete të tjera.
Po kështu, emra të njohur të gastronomisë, kuzhinierë me përvoja ndërkombëtare do të gatuajnë çdo ditë shije të ndryshme dhe unike të ushqimit.
Prishtina Gastronomy Festival, pas dy viteve pauzë për shkaqe të situatës pandemike, këtë vit po realizon edicionin e dytë, kurse për herë të parë ishte mbajtur në vitin 2019.
Prishtina Gastronomy Festival, që përkrahet nga Komuna e Prishtinës, do të mbahet deri me 31 korrik, nga 5:00 e pasdites deri në orën 11:00 të mbrëmjes.