Fatjon Cuka
04 Tetor 2016•Përditësim: 04 Tetor 2016
TIRANË (AA) - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së dytë të vizitës së tij në Shqipëri, është takuar me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa ka bërë edhe homazhe në "Varrezat e Dëshmorëve" tek monumenti "Nëna Shqipëri", si dhe tek monumenti i Adem Jasharit në kryeqytet, raporton Anadolu Agency (AA).

I shoqëruar nga truprojat e nderit të Gardës së Republikës, Thaçi ka vendosur kurorë me lule në monumentin "Nëna Shqipëri". Ndërkohë më pas presidenti i Kosovës ka realizuar një takim me kryebashkiakun e Tiranës. Në një njoftim zyrtar të Bashkisë së Tiranës, thuhet se gjatë takimit Thaçi-Veliaj, u theksua se zbatimi i marrëveshjeve dhe nismave bashkëpunuese që dy qeveritë qendrore dhe ato lokale kanë arritur mes tyre, do të rrisin edhe më tej përfitimet e shqiptarëve në të dy anët e kufirit.
Kryebashkiaku Veliaj, theksohet në njoftim, e ka njohur Presidentin e Kosovës edhe për disa nisma bashkëpunimi që Bashkia e Tiranës, së bashku me bashkitë e tjera që drejtohen nga shqiptarë përtej kufijve shtetërorë të Shqipërisë, kanë ndërmarrë në funksion të mirëqenies së shqiptarëve. “E informova presidentin për qëllimin tonë, që në prag të festave të nëntorit, të bëjmë një mbledhje të bashkive e komunave kryesore të shqiptarëve këtu, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Serbinë Jugore, por jo për t’u fokusuar në folklorizma, por për t’u marrë konkretisht si mund të përmirësojmë jetën e qytetarëve shqiptarë në qytetet që menaxhojmë. Ishte privilegj që morëm edhe bekimin e presidentit dhe mbështetjen e tij për këtë nismë, sepse besoj që kur shqiptarët jetojnë mirë, janë edhe të mëdhenj”, ka deklaruar Veliaj.
Në njoftimin zyrtar të Bashkisë së Tiranës gjithashtu theksohet se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë takimit vlerësoi ndryshimet që po ndodhin në Tiranë.
Ndërkohë gjatë homazheve tek monumenti Adem Jasharit, disa të rinj kanë protestuar, por që nuk janë shënuar incidente.
Kujtojmë se Thaçi gjatë ditës së djeshme u takua me drejtuesit më lartë të shtetit shqiptar, si me Presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Edi Rama, kryeparlamentarin Ilir Meta, si dhe me kreun e opozitës dhe njëkohësisht kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.