Fatjon Cuka
25 shtator 2025•Përditësim: 26 shtator 2025
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka deklaruar se Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE) do të thotë siguri më e madhe për rajonin, transmeton Anadolu.
Në rrjetet sociale Begaj ka shkruar se sot udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor u mblodhën së bashku me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas.
"Anëtarësimi i Shqipërisë në BE pasqyron atë që jemi dhe të ardhmen që po ndërtojmë: institucione demokratike dhe evropiane, të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore të njeriut. Shqipëria dhe i gjithë Ballkani Perëndimor në BE do të thotë siguri më e madhe për rajonin tonë dhe për kontinentin tonë", është shprehur Begaj.
Takimi i kryediplomates së BE-së me liderë nga rajoni dhe zyrtarë të tjerë është zhvilluar në New York. Pjesë e këtij takimi, përveç presidentit Begaj ishin edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova dhe zyrtarë të lartë nga vendet e tjera të rajonit.
Presidenti Begaj po qëndron në New York, në krye të delegacionit shqiptar në kuadër Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.