BALLKANI

Arrestohet në Serbi shtetasi kosovar

Autoritetet serbe dyshohet se gjatë ndalimit i kanë gjetur Lozhanit kartelën e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)

Agim Sulaj  | 05.02.2026 - Përdıtësım : 05.02.2026
Arrestohet në Serbi shtetasi kosovar

Prishtinë

Një shtetas i Kosovës është arrestuar nga autoritetet serbe në Serbi, transmeton Anadolu.

Avokati kosovar, Arianit Koci, ka njoftuar për arrestimin e shtetasit të Kosovës, Mit’hat Lozhani, nga policia serbe gjatë kalimit transit nëpër territorin e Serbisë.

Sipas mediave lokale në Kosovë, autoritetet serbe dyshohet se gjatë ndalimit i kanë gjetur Lozhanit kartelën e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas avokatit Koci, arrestimi i shtetasit kosovar ka ndodhur rreth orës 11 të ditës.

“Gjatë kalimit transit nëpër Serbi, u ndalua dhe u arrestua nga policia serbe shtetasi i Kosovës, Mit’hat Lozhani. Ky nuk është rast i izoluar. Arrestimet e shtetasve të Kosovës gjatë transitit nëpër Serbi po përsëriten dhe kjo po krijon pasiguri reale për këdo që udhëton përmes atij territori. Këto arrestime duhet të ndalen”, shkroi Koci.

Koci tutje tha se Shteti i Kosovës ka obligim ta trajtojë këtë si çështje serioze të sigurisë së qytetarëve, duke kërkuar edhe ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.

“Deri atëherë, diplomacia jonë duhet të reagojë fuqishëm, pa përjashtuar masa konkrete politike, përfshirë edhe mbylljen 24-orëshe të kufirit, nëse arrestimet vazhdojnë”, tha ai.

Ndërkohë, mediat serbe raportuan se shtetasi kosovar i arrestuar dyshohet se si pjesë e UÇK-së ka marrë pjesë në sulme të drejtuara ndaj anëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe ish-ushtrisë Jugosllave.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.