Besar Ademi
09 Dhjetor 2016•Përditësim: 10 Dhjetor 2016
SHKUP (AA) – Shoqata për Hulumtim, Komunikim dhe Zhvillim 'PUBLIC' në Shkup prezantoi hulumtimin njëvjeçar të titulluar “Migrimi, shërbimet, integrimi”, në të cilin janë kryer hulumtime për shërbimet sociale të refugjatëve, emigrantëve dhe azilkërkuesve gjatë udhëtimit të tyre drejt vendeve evropiane, raporton Anadolu Agency (AA).
Hulumtimi “Migrimi, shërbimet, integrimi” është zbatuar në Maqedoni, Serbi dhe Kroaci pas mbylljes së 'Rrugës ballkanike', në të cilin janë hulumtuar edhe kapacitetet institucionale kompetente në përballjen me krizën e refugjatëve dhe emigrantëve. Në Maqedoni është zbatuar nga Asociacioni 'PUBLIC', në Serbi nga Komiteti i Juristëve për të Drejtat e Njeriut JUKOM, ndërsa në Kroaci nga Shoqata Joqeveritare MOST.
Maja Ravenska nga Shoqata 'PUBLIC', theksoi se tashmë e dimë se 'Rruga ballkanike' për refugjatët dhe emigrantët është e mbyllur dhe kjo është një çështje e mbyllur, megjithatë shtoi ajo, bëhet fjalë për integrimin që do të ndodhë me refugjatët e bllokuar në territorin e Maqedonisë, Serbisë dhe Kroacië.
“Hulumtimi tregon rezultate interesante. Nga ana e institucioneve tregon se institucionet, perceptimi dhe shërbimet e tyre janë të mjaftueshme dhe në pajtim me rregulloren. Megjithatë, nga ana tjetër organizatat joqeveritare tregojnë ndryshe. Ata thonë se shumë gjëra nuk janë në përputhje me rregulloren dhe shumë gjëra vendosën nga një ad-hok”, deklaroi Ravenska, duke shtuar se e vërteta qëndron dike mes këtyre dy pikëpamjeve.
Nga ana tjetër, Ana Jankoviq Jovanoviq nga Komiteti JUKOM – Serbi, tha se Serbia nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për t’u kujdesur për numrin e refugjatëve që ndodhen në territorin e saj.
“Pasi mbylljes së 'Rrugës ballkanike' shumë gjëra kanë ndryshuar. Numri i personave që kalonin nëpër territorin e Serbisë nga njëra anë është reduktuar, mirëpo nga ana tjetër një numër i madh prej tyre kanë mbetur në territorin e Serbisë. Kjo me të vërtetë është një problem i madh, pasi që ata njerëz kanë marrë vërtetim për qëndrim në territorin e Serbisë 72 orë, ndërsa ata ndodhen tani më disa muaj”, tha Jovanoviq.
Ndërkaq, Xhordana Barbabiq nga Shoqata joqeveritare MOST – Kroaci, tha se historia e refugjatëve dhe emigrantëve është edhe historia e qytetërimit të sotëm në të cilin jetojmë. Ajo shtoi se nevojitet bashkëpunim në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar për të arritur që të zgjidhet çështja e refugjatëve dhe emigrantëve.
“Besimi reciprok i institucioneve shtetërore gjithmonë është problem. Pa bashkëpunim të përbashkët shumë pak mund të bëjmë, ne jemi në mbështetje të institucioneve. Kroacia ka treguar se mund të mbështetet në vullnetarët e saj dhe organizatat e shoqërisë civile. Rekomandimet tona për të gjitha shtetet janë që të mos heshtim në lidhje me këtë dhe kjo është një mënyrë për të sensibilizuar publikun, paragjykimet rreth emigrantëve dhe azilkërk", u shpreh Barbabiq.