Malik Hasa
09 Dhjetor 2016•Përditësim: 09 Dhjetor 2016
TIRANË (AA) - Në Tiranë sot Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe zyra e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit kanë organizuar forumin e nivelit të lartë për antikorrupsionin në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në hapje të forumit mbajtën një fjalë përshëndetëse, koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit dhe njëherësh minisri shqiptar për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, etj.
Ministri Çuçi në fjalën e tij u shpreh se korrupsioni nuk është një çështje e një vendi të vetëm, por një fenomen global.
"Natyrisht që qytetarët kërkojnë më shumë cilësi jete, kërkojnë një shërbim shëndetësor të mirë, përmirësim të mirëqenies tyre. Ajo që rezulton internate nga sondazhet është se ata kërkojnë drejtësi dhe luftë kundër korrupsionit. Qeveria e Shqipërisë e ka bërë luftën kundër korrupsionit një prioritet kombëtar", u shpreh më tej ai.
Borchardt në fjalën e tij ka theksuar se korrupsioni në Shqipëri, si kudo tjetër, është një problem i ndërlikuar dhe shumëdimensional. Sipas tij, një mjedis i korruptuar rrit kostot e të bërit biznes, deformon tregjet dhe përparësitë në investime dhe dëmton besimin tek administrata publike.
"Ai është një kërcënim i kudogjendur, që, në manifestimin e tij më të keq, i dënon me varfëri grupet tanimë të cenueshme dhe rrit pabarazinë duke devijuar fondet nga kujdesi shëndetësor, arsimi dhe shërbime të tjera thelbësore dhe duke dobësuar në të njëjtën kohë shtetin. Korrupsioni nuk është thjesht një çështje financiare. Ai mund të çojë në mungesë të ndjeshme të stabilitetit shoqëror dhe në konflikte. Prandaj, ekziston një lidhje e qartë midis zhdukjes të korrupsionit dhe garantimit të sigurisë, shtetit të së drejtës dhe stabilitetit afatgjatë", është shprehur ambasadori I OSBE-së në Shqipëri Borchardt.
Në panelin e nivelit të lartë në këtë forum është diskutuar për rolin e qeverisë, shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesin në adresimin e sfidave që dalin nga korrupsioni, në sektorë të ndryshëm. Ekspertët të huaj kanë folur për praktikat kundër korrupsionit të ndërmarra në nivel rajonal e më gjerë, përmes nismave të qeverisë, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.