PRISHTINË/PRIZREN/SHKUP/TIRANË (AA) – Besimtarë muslimanë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni kanë falur namazin e Kurban Bajramit. Ata janë mbledhur në kryeqytetet e këtyre vendeve, por edhe qytetet e tjera për të falur namazin e Kurban Bajramit, ku merrnin pjesë edhe klerikët muslimanë, por edhe personalitete të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).
Nën organizimin e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, në xhaminë Bedr në Shkup u mbajt manifestimi qendror për faljen e Kurban Bajramit. Gjatë ceremonisë u këndua Kur’an dhe ilahije.
Në ceremoninë e faljes ishin të pranishëm një numër i madh i besimtarëve, mes të cilëve kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, i cili njëherësh drejtoi faljen e namazit, ambasadori turk në Maqedoni, Ömür Şölendil, atasheu i Çështjeve Fetare të Republikës së Turqisë në Maqedoni, Seyfettin Ersoy si dhe ambasadori i Iranit në Maqedoni, Saied Sadegh Mohammad.
Hytben e Bajramit, në emër të kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, e lexoi një nxënës i Medresesë “Isa Beu” në Shkup, ndërsa në të qëndronte porosia se sublimimi i vlerave të Bajramit manifestohet përmes therjes së kurbanit dhe shpërndarjes së mishit për nevojtarët. “Kur’ani i shenjtë na mëson se tek Allahu nuk arrijnë as mishi dhe as gjaku i kurbanit por prerja e kurbanit bëhet për të adhuruar krijuesin dhe të jemi të mëshirshëm, bujarë dhe me shpirt human” ishin mesazhet e kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepi të lexuara nga një nxënës i medresesë.
Edhe në xhamitë tjera të Maqedonisë në prani të madhe të besimtarëve musliman u fal Kurban Bajrami, ndërsa gjatë ditës ata të cilët kanë blerë kurban, do të bëjnë therjen e tij.
Me faljen e namazit të Kurban Bajramit që filloi në ora 7:01, nën drejtimin e sekretarit të përgjithshëm të Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepit dhe me “Hytben” të cilin e përcolli Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në prezencë të rreth 500 besimtarëve në xhaminë Sulltan Mehmet Fatih në Prishtinë u mbajt manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë ceremonisë qendrore Resul Rexhepi tha se ditën e Kurban Bajramit, dashuria ndaj Allahut manifestohet përmes shkuarjes në Haxh dhe prerjes së kurbanit, dhe ka ftuar njerëzit të jenë më solidar ndaj njëri-tjetrit. Ai ka kërkuar nga besimtarët të jenë të sinqertë, më human, më tolerant dhe më solidar, duke e ndihmuar njëri-tjetrin. Gjatë Hytbes së Kurban Bajramit, Naim Tërnava tha se dhënia e ndihmës për të varfrit nuk pakëson pasurinë tonë por e shton atë, ndërsa porositi që të mos qëndrojmë indiferent ndaj asaj që troket në dyert tona dhe ndaj vuajtjeve të refugjatëve sirian.
“Fatkeqësisht, sot bota vuan nga konfliktet e armatosura të cilat sjellin padrejtësi dhe vdekje. Në këtë ditë të madhe lusim Allahun të udhëzojë. Lusim që vendet ku ka luftëra të gjejnë paqen, të gjejë paqen Siria dhe Iraku, ndërsa refugjatët e këtyre shteteve të gjejnë humanitetin dhe solidaritetin” tha Tërnava.
Njëkohësisht, në Prizren, në xhaminë e Sinan Pashës e cila sivjet shënon 400 vjetorin e ndërtimit të saj, besimtarët falën namazin e Kurban Bajramit nën drejtimin e kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, Lutfi Ballëk dhe Orhan Bislimaj, sekretarit të KBI-së së Prizrenit. Ndërkohë, në Prizren, në organizim të Gjysmëhënës së Kuqe nga Turqia dhe si pjesë e fushatës ballkanike për prerjen dhe shpërndarjen e bereqetit të Kurbaneve, organizohet edhe ceremonia pas të cilës të varfërve, jetimëve dhe atyre që janë në nevojë, u shpërndahet mishi i kurbanit.
Duhet theksuar se sivjet, me porosi të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në emër të tij, në Kosovë dhe Maqedoni bëhet prerja dhe shpërndarja e mishit të kurbanit. Me rastin e festës së Kurban Bajramit, sipas traditës, në selinë e Kryesisë së BIK-ut në Prishtinë, Myftiu Tërnava dhe krerët e këtij institucioni organizojnë pritjen për mysafirët e shumtë, ndër ta edhe liderë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe ata të partive politike.
Mijëra besimtarë të mbledhur kanë falur namazin e Kurban Bajramit edhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Me praninë e besimtarëve muslimanë, klerikëve të këtij besimi, por dhe personaliteteve të shumta, u përcollën mesazhet e paqes dhe të harmonisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Pothuajse në çdo qytet të Shqipërisë, në bulevardet dhe xhamitë kryesore të qyteteve besimtarët muslimanë falin namazin e Kurban Bajramit. Ndërkohë gjatë orëve të ditës, personalitetet e ndryshme nga jeta politike, kulturore, dhe fetare do të përcjellin mesazhet e tyre të urimit për Kurban Bajramin
Siç edhe është bërë traditë, pas riteve fetare besimtarët mulsimane vizitojnë njëri-tjetrin për të shkëmbyer urimet e festës, ndërsa ka nga ata që edhe festojnë bashkërisht në ambiente familjare.
Ndërkohë menjëherë pas faljes së namazit të Kurban Bajramit besimtarë të shumtë, por jo vetëm, organizata humanitare dhe institucione të tjera fetare në vend organizojnë therjen e kurbaneve dhe shpërndarjen e mishit për familjet në nevojë në të gjithë Shqipërinë.
news_share_descriptionsubscription_contact
