Bekim Laci
23 shtator 2015•Përditësim: 23 shtator 2015
SHKUP (AA) - Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka uruar kreun e Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Reis-ul-ulema Sulejman efendi Rexhepi si dhe besimtarët musliman në vend me rastin e festës së Kurban Bajramit, raporton Anadolu Agency (AA).
"Më lejoni, juve personalisht, anëtarëve të riasetit, myftinive, imamëve dhe të gjithë qytetarëve të besimit islam në Republikën e Maqedonisë, t'ua uroj festën e Kurban Bajramit. Kjo festë është e njohur edhe si 'festa e sakrifikimit', e cila e simbolizon afrimin e njeriut te Zoti. Kurban Bajrami është festa e mëshirës, por edhe bashkëndjenjës me familjen, miqtë dhe të varfrit", thuhet mes të tjerash në urimin e Presidentit të Maqedonisë me rastin e Kurban Bajramit.
“Festat na mësojnë të mos i harrojmë vlerat njerëzore, të falim, të kemi mirëkuptim, të besojmë. Atë na e mëson edhe tradita shekullore, duke i ndihmuar njëri-tjetrit e përforcojmë bashkëjetesën dhe respektin mes qytetarëve në Republikën e Maqedonisë” - thihet më tej në urimin e presidentit Gjorgje Ivanov.
Ai, besimtarëve muslimanë u ka dëshiruar ditë të këndshme të mbushura me gëzim, lumturi dhe begati.