Besar Ademi
24 Shtator 2015•Përditësim: 24 Shtator 2015
SHKUP (AA) – Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë (BFI) organizoi manifestimin tradicional me moton “Bakllavaja e Bajramit”, ku për mysafirët e ftuar u servir bakllava tradicionale e kësaj feste, raporton Anadolu Agency (AA).
Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, në fjalën e tij përshëndetëse tha se sakrifica do të thotë dashuri dhe përkushtim ndaj krijuesit tonë. “Duke kultivuar dashurinë, duke shprehur përkushtimin tonë, ne sakrifikojmë diçka nga vetja, por nga ana tjetër përfitojmë devotshmërinë. Nuk ka gjë më të madhe se të jesh i devotshëm”, theksoi Rexhepi, si dhe shtoi se kjo do të thotë që i je nënshtruar rregullave dhe principeve të dhëna nga ana e krijuesit tënd.
Ai porositi se vetëm me dashuri dhe devotshmëri mund të mbushet misioni i secilit në këtë botë dhe në këtë jetë. “Misioni ynë është të kultivojmë bashkëjetesë, mirëqenie, paqe, tolerancë dhe të jemi të mbrojtjes të përkushtuar të asaj harmonie të madhe e të përkryer të cilën krijuesi e ka vënë për ne në këtë botë”, u shpreh ai.
Rexhepi duke marrë shembull krizën e refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, theksoi se sakrifica e çdo njërit kontribuon që mos të ketë urrejtje, plane shkatërrimtare apo konflikte e luftëra në këtë botë.
“Nuk do të kemi kolona refugjatësh që rendin nëpër botë për pak paqe e mirëqenie. Kur jemi te kjo pamje e tmerrshme, më lejoni që nga ky vend t’i drejtohem të gjithë faktorëve në relevancë ndërkombëtare në botë, le të sakrifikohet qoftë një dhomë, një vend pune, një bank shkolle apo një shtrat spitali, vetëm e vetëm t’iu sigurohet mirëqenie dhe rehati shpirtërore të përkohshme tërë asaj popullate e cila tashmë e ka vënë në sprovë mbare njerëzimin”, porositi kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi.
Në këtë manifestim, ëmbëlsirën tradicionale të kësaj feste e shijuan një numër i madh i mysafirëve, ndër të cilët edhe përfaqësues dhe udhëheqës të trupit diplomatik, përfaqësues të jetës politike dhe fetare në Maqedoni, të botës akademike, etj.
Në lidhje me ngjarjen tragjike, ku mbi 700 peligrinë humbën jetën dhe mbi 800 të tjerë u plagosën në një rrëmujë dhe gjatë shtyrjes që ndodhi mëngjesin e sotëm gjatë riteve fetare të pelegrinëve të cilët janë duke kryer Haxhin në Mina, kreu i BFI-së njoftoi se nga Maqedonia në Haxh ndodhen mbi 1 mijë besimtarë muslimanë, mirëpo në kohën e fatkeqësisë asnjëri nga ata nuk ka qenë prezent në vendin ku ka ndodhur fatkeqësia.