Sibel Vezaj
09 Dhjetor 2016•Përditësim: 10 Dhjetor 2016
PRISHTINË (AA) - Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit e Kuvendit të Kosovës, me mbështetjen e UNDP (Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin), sot me rastin e 9 dhjetorit, “Ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit” në Kuvendin e Kosovës nënshkruan themelimin e degës së Organizatës “Deputetët Global Kundër Korrupsionit” (GOPAC) në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë kësaj ceremonie, kryesuesja e Komisionit Parlamentar për mbikëqyrje të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe kryesuese e komitetit për themelimin e degës GOPAC, Valdete Bajrami theksoi se pjesëmarrja në organizatën globale të parlamentarëve kundër korrupsionit, është mënyra më e mirë e përmbylljes së “Javës Kundër Korrupsionit në Kosovë”.
Ajo bëri të ditur se GOPAC është themeluar në vitin 2002 në Konferencën Globale të Otavës në Kanada, ku mblodhi rreth 170 parlamentarë dhe 400 vëzhgues të përkushtuar në luftën kundër korrupsionit. Ajo shtoi se në në bashkëpunim me UNDP-në, deputetët Valdete Bajrami, Albulena Haxhiu, Armend Zemaj, Agim Aliu dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Suzana Novebërdaliu kanë shprehur gadishmërinë për të qenë pjesë e kësaj organizate, e cila përfaqësohet nga më shumë se 50 vendet e botës.
“Ne besojmë se në ditët në vijim ky numër i deputetëve do të rritet për t’u bërë pjesë e fuqishme e kësaj organizate. Duke qenë po ashtu pjesë e kësaj organizate dhe duke qenë në mesin e atyre njerëzve me përvojat më të mira t’i kontribuojmë vendit që t’I marrim praktikat më të mira të botës në mënyrë që ta avancojmë luftën tonë të pakompromis kundër korrupsionit”, tha Bajrami.
Në anën tjetër, Aakash Maharaj, kryeshef ekzekutiv në sekretariatin Global i GOPAC tha se këtu bën lansimin e degës së 59-të kombëtar të GOPAC-ut, e cila ka të bëjë me luftën e përbashët kundër korrupsionit, i cili është një kërcënim i gjithë shoqërisë dhe sigurisë shtetërore.
“Ne njohim se statusi i Kosovës në komunitetin ndërkombëtar është i pazgjidhur dhe ne besojmë se puna e Kosovës në GOPAC do të luajë një rol ndërkombëtar për t’i mundësar Kosovës që të zë vendin e saj si një vend i lirë dhe i barabartë me kombet tjera. Ne e dijmë që korrupsioni është një çështje serioze në Kosovë, të hulumtuar nga UNDP-ja ka dalë se është çështja e dytë më e rëndësishme që ballafaqohet shoqëria, ku e para është papunësia”, tha Maharaj.
Ai theksoi se rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në GOPAC në luftën kundër korrupsionit është e rëndësishme që të krijohet një e ardhme më të ndritshme jo vetëm për këtë gjeneratë, por edhe për gjeneratat e tjera në vijim.
Maharaj po ashtu vuri në dukje se GOPAC është mundësi si për parlamentarët ashtu dhe për të gjithë popullatën për t’i bashkuar duart dhe për ta justifikuar Kosovën, si dhe për të qenë ndërtues i së ardhmes. Ai së fundi theksoi se Kosova ka kapacitete për këtë, dhe shtoi se GOPAC do të jetë përkrahës i kësaj periudhe.
Kurse, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet, tha se ky projekt i cili ka filluar në vitin 2012 ka qenë i vetmi i cili ka targetuar korrupsionin si të tillë. Ai theksoi se korrupsioni i shkakton një dëm të madh ndaj shoqërisë, por që zakonisht mbetet i pandëskuar.
“Kjo vlen për shumë vende, duke përfshirë edhe Kosovën. Ne të gjithë jemi në dijeni se korrupsioni ka kosto të larta të sociale dhe ekonomike dhe kështu që dobëson apo zbeh mundësitë e zhvillimit për Kosovën. Natyrisht që korrupsioni nuk duhet të tolerohet, është një krim i cili duhet të refuzohet në mënyrë të madhe”, tha Lebet.
Ai së fundi theksoi se Zvicra do të vazhdojë të jetë një partner i cili mbështet Kosovën për t’i përqafuar vlerat e llogaridhënies.