Besar Ademi
30 Gusht 2016•Përditësim: 31 Gusht 2016
SHKUP (AA) – Në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale të Republikës së Maqedonisë u nënshkrua Marrëveshje për parandalimin e rreziqeve nga vërshimet në rajonin malor të Pollogut, projekt i cili do të realizohet nga UNDP-ja (Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara), pas së cilës u njoftua edhe ndërtimi i tre digave të reja në lumin Shkumbin, raporton Anadolu Agency (AA).
Për këtë projekt i cili pritet të përfundojë në fund të këtij viti, janë siguruar mjete financiare në vlerë prej 316.000 euro, të destinuara për krijimin e një sistemi rajonal për paralajmërimin e hershëm si dhe për zhvillimin e një sistemi të ri për të njoftuar publikun. Me këtë fonde do të rregullohen edhe tre digat e dëmtuara të lumit Shkumbin.
Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Maqedoni, Luiza Vinton, bëri të ditur se në këto dy muaj do të merren me pastrimin dhe rregullimin e digave aktuale, ndërsa pastaj do të fillojnë me ndërtimin e tre digave të reja të cilat do të ndihmojnë në parandalimin e rreziqeve nga përmbytjet.
“UNDP-ja në të gjithë territorin e vendit ka hartuar rreziqet nga përmbytjet, por rajoni i Pollogut është i pari, sepse në këtë zonë ne hasëm përmbytje ndryshe nga rajonet tjera. Kjo ndodhi në fillim të vitit të kaluar kur shirat e rrëmbyeshëm goditën në të njëjtën kohë si pasojë e së cilës u ngrit niveli i lumit. Banorët për përmbytje të tilla nuk kanë asnjë paralajmërim dhe në këto situata vdekjet janë shumë më të larta”, deklaroi Vinton.
Sipas klasifikimeve të meteorologëve, theksoi Vinton, përmbytjet në rajonin e Shkupit ndodhin një herë në 1 mijë vite, ndërsa në rajonin e Pollogut një herë në 100 vite, por shtoi ajo, “këto reshje në Pollog tanimë mund të priten çdo 50 vite apo edhe më shpesh”.
Ndërkaq, ministrja e Vetëqeverisjes Lokale, Shyrete Elezi, bëri të ditur se me mbështetjen e UNDP-së vitin e kaluar u përgatit një analizë e thellë e cila thekson rreziqet potenciale nga përmbytjet në rajonin e Pollogut. Ajo shtoi se ky projekt do të ndihmojë në rregullimin e tre pikave më kritike të cilat janë kërcënim potencial dhe i drejtpërdrejtë për rreth 120 mijë banorë, por edhe kërcënim për sigurinë e 300 mijë banorëve të rajonit të Pollogut.
“Më kritike janë tre pika, gjegjësisht tre digat e lumit Shkumbin të cilat janë pjesërisht ose plotësisht të shkatërruara, pastrimi i shtratit të lumit si dhe rehabilitimi i tij në gjatësi prej rreth dy kilometra dhe rregullimi përgjatë zonës urbane në gjatësi prej një kilometër”, theksoi Elezi.
Pollogu është një nga rajonet më të ekspozuara nga përmbytjet. Më 3 gusht të vitit të kaluar reshjet intensive që zgjatën më pak se dy orë shkaktuan rrëshqitje të tokës dhe përmbytje të mëdha, si pasojë e së cilës humbën jetën 6 persona dhe u vlerësuan dëme materiale prej 21.5 milionë dollarë amerikan.