Bekim Laci
09 Maj 2016•Përditësim: 09 Maj 2016
SHKUP (AA) - Ministrja e Vetëqeverisjes Lokale të Maqedonisë, Shiret Elezi, mori pjesë në Kongresin rajonal që u mbajt në Podgoricë të Malit të Zi me temë “Mjedis i favorshëm afarist”, ku u bë edhe shpallja e komunave më të mira për investime në rajon, transmeton Anadolu Agency.
Në njoftimin e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale thuhet se para ministrave dhe përfaqësuesve të vendeve të rajonit, përfaqësuesve të Bashkësisë Ndërkombëtare dhe Bashkësisë së Biznesit, ministrja Elezi foli për procesin e decentralizimit në Republikën e Maqedonisë, për politikën e zhvillimit të barabartë rajonal dhe për programin qeveritar për zhvillimin e komunave.
Procesi i decentralizimit, theksoi ministrja Elezi është një histori suksesi, me fillim dramatik, për shkak të shpejtësisë dhe kompleksitetit të reformës e cila në kontinuitet garanton tejkalimin e sfidave hap pas hapi.
“Programi i fundit për zhvillim lokal dhe decentralizim, i miratuar nga ana e Qeverisë së Maqedonisë. për periudhën 2015-2020, ka për qëllim që theksi prioritar të vendoset në zhvillimin e komunave. Qëllimi është që të krijohen njësi të zhvilluara të vetadministrimit lokal, të orientuara nga qëndrueshmëria ekonomike e tyre dhe të afta për zhvillimin e rajonit në të cilin veprojnë. Për këtë qëllim, janë definuar prioritete të caktuara të të parapara në planin e hartuar akcional”, theksoi Elezi.
Lidhur me çertifikimin e disa komunave nga Republika e Maqedonisë që i përmbushin kriteret për veprim afarist gjithëpërfshirës, ministrja Shiret Elezi nënvizoi se ata kanë vizion të qartë dhe punojnë për forcimin e kapaciteteve administrative si dhe në ngritjen e nivelit të punës transparente dhe llogaridhënëse.
Në Kongres morën pjesë edhe përfaqësues të Bashkësisë së Njësive për Vetëqeverisje Lokale (BNJVL) ndërsa çertifikata iu ndanë komunave më të mira, mes të cilëve janë edhe komunat: Shtip, Bogdanci, Gazi Babë dhe Qyteti i Shkupit.