Sibel Vezaj
09 Dhjetor 2016•Përditësim: 09 Dhjetor 2016
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian, Angelina Eichhorst, me të cilën bisedoi për zhvillimet e fundit në relacion me BE-në në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Presidenca bëhet e ditur se gjatë këtij takimi Presidenti Thaçi ka thënë se ndihet i kënaqur që Kosova dhe BE-ja kanë instaluar një bashkëpunim institucional dhe falënderoi për përkrahjen që BE-ja ka dhënë për institucionet e Kosovës.
“Kosova është e vendosur për të ardhmen e saj euroatlantike. NATO dhe BE janë destinacionet e vetme të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kurse, drejtoresha Eichhorst theksoi se është e kënaqur për bashkëpunimin me Kosovën dhe për të arriturat në proceset e rëndësishme, si dialogu dhe MSA-në.
Ndërkaq, presidenti Thaçi po ashtu ka kërkuar nga BE-ja që të mos lejojë që Kosova të mbetet e izoluar si dhe të marrë vendim që sa më parë të jepet drita e gjelbër për liberalizimin e vizave edhe për qytetarët e Kosovës.
“Është vërtetë për keqardhje që për shkak të zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë, për shkak të ambicieve personale e partiake, të pësojnë të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të mbeten evropianët e vetëm të izoluar, pa mundësi që të lëvizin të lirë në kontinentin e tyre”, ka thënë në fund presidenti Thaçi.