Zülfiya Yakup
24 Maj 2016•Përditësim: 25 Maj 2016
PRISHTINË (AA) - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës ka organizuar një tryezë të rrumbullakët në temë “Arsimi për punësim - roli i ndërmarrjeve në zhvillimin e shkathtësive” në të cilën morën pjesë një numër i madh i përfaqësuesve të kompanive dhe ambasadave, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami theksoi se arsimi dhe ekonmia kanë një lidhje të ngushtë mes vete dhe se Kosova ka nevojë për shkolla të mesme profesionale të cilat do të krijonin kuadro profesionl për nevojat e tregut të punës.
Bajrami shtoi më tej se kurikulat e shkollave profesionale do të shqyrtohen bashkë me përfaqësuesit e biznesit në mënyrë që të bëhet profilizimi i profesioneve për të cilat ka nevojë biznesi.
“Aktualisht kemi katër shkolla të profilizuara ndërsa ideja jonë është që 60 shkollat profesionale që i kemi ti orientojmë në atë drejtim që shkolla të jetë vend edukimi, vend ku do të fitohet përvoja dhe ku do të prodhohet sepse kështu do të kemi tre procese në të njëjtën kohë”, tha Bajrami.
Ai tha më tej se sistemi dual që nënkupton qëndrimin e nxënësve nëpër kompani së paku njëherë në javë, nga viti i ardhshëm shkollor do të zbatohet në tërësi duke iu përshtatur kushteve kosovare.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi nga ana e tij tha se roli i kompanive është i pazëvendësueshëm dhe se sistemi arsimor duhet të jetë i bazuar në nevojat e ekonomisë.
“Ne nuk kemi industri të zhvilluar dhe laramani të sistemit dual të cilin synojmë ta instalojmë. Në këso rrethanash, për të kompensuar mungesën e sektorit të zhvilluar të industrisë ne duhet të angazhohemi për thellimin e bashkëpunimit me kompanitë të cilat mundësojnë vende të reja pune në Kosovë”, tha Abrashi.
Ramiz Kelmendi, deputet në Kuvendin e Kosovës, njëherësh pronar i kompanisë Elkos Group theksoi se për çdo vit në tregun e punës dalin rreth 30 mijë të rinj të shkolluar dhe për shumicën nga ta nuk ka punë.
"Nga ky shkak ne duhet të bëjmë një plan afatgjatë për zhvillim të arsimit sipas të cilit dkuadri do të shkollohej konform nevojave të biznesit kosovar. Këtu duhet filluar bashkëpunimin ndërkohë qeveria duhet të përpilojë planin zhvillimor 2016-2026 në mënyrë që plani të zëvendësojë prodhimet të cilat importohen në Kosovë”, tha Kelmendi.
Ai përfundoi me porosinë drejtuar të rinjve që të përqendrohen në sektorin privat sepse, siç tha, sektori publik nuk ka vende pune për të ofruar.