Fatjon Cuka
23 Maj 2016•Përditësim: 24 Maj 2016
TIRANË (AA) - Ministria e Arsimit dhe Sporteve e Shqipërisë, në bashkëpunim me disa partnerë zhvillon më 23 dhe 24 maj në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, “Festivalin e Ideve Rinore 2016”, raporton Anadolu Aganecy (AA).
Ceremonia e hapjes së këtij eventi është bërë sot në ambientet e Muzeut Historik Komnëtar, ku e pranishme ishte edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadorë, nxënës, etj.
Ministrja Nikolla u shpreh gjatë fjalës së saj se ky event do të ketë një dimension të madh në shumë ide dhe aktivitete të propozuara.

“Risitë këtë vit janë si në ide dhe në formë. Janë planifikuar takime me personalitete të njohura, ambasadorë, studentë të vendeve të ndryshme të Bashkimit Evropian, seminare nga partnerë, aktivitete në bashkëpunim me mësuesit dhe prindërit që iu janë bashkuar ideve të nxënësve dhe shkollave si qendër komunitare. Besoj që këto shkolla që operojnë si qendra komunitare janë projekti që tregon të ardhmen, sepse gjithë shkollat do të bëhen pjesë e këtij modeli. Nxënësit e talentuar që kanë sjellë idetë e tyre, pa dyshim që do t'i kthejnë projektet në produkte për jetën e komunitetit”, - u shpreh Nikolla.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve (MAS), në këtë festival do të shpaloset dhe promovohet dija, imagjinata, kreativiteti dhe produktiviteti i të rinjve shqiptarë parauniversitar në forma të tilla, që të integrojnë aftësitë dhe kompetencat e fituara përmes edukimit forma e informal, në shërbim të një zhvillimi të qëndrueshëm lokal.
Ky panair ka për qëllim njohjen nga komuniteti, donatorët e huaj dhe vendas, mësuesit, prindërit, nxënësit, si edhe nga publiku i gjerë, me projekt-idetë e shkollave me qëllim nxitjen e përfshirjes së komunitetit, biznesit dhe aktorëve të tjerë në realizimin e këtyre projekteve.
Ky është viti i dytë që organizohet një event i tillë, ky synohet që të krijohet një traditë në këtë drejtim.