Agim Sulaj
10 qershor 2022•Përditësim: 10 qershor 2022
Kombëtarja e Kosovës në futboll ka mposhtur Irlandën e Veriut me rezultatin 3 me 2 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të ndeshjeve të Ligës së Kombeve (UEFA Nations League), raporton Anadolu Agency (AA).
Golin e parë për Kosovën e shënoi Vedat Muriqi nga pika e bardhë e penaltisë, pasi ndaj Milot Rashicës u bë ndërhyrje e palejuar nga lojtari irlandez Steven Davis.
Vetëm 11 minuta më vonë, në minutën e 20-të, Kosova dyfishoi epërsinë për 2 me 0 me golin e Zymer Bytyqit që shënoi pas një krosimi nga Milot Rashica.
Pjesa e parë e ndeshjes u përmbyll me vetëm një gol epërsi për Kosovën, pasi në minutën e 45-të, në të mirë të mysafirëve shënoi me kokë Shayne Lavery.
Pjesën e dytë të ndeshjes Kosova e nisi përsëri me një epërsi të mbajtjes së topit në ndeshje, ndërsa konkretizoi një rast në minutën e 52-të, për herë të dytë nëpërmjet Vedat Muriqit, për rezultatin 3 me 1. Ky gol për Muriqin u bë edhe goli i 20-të për sulmuesin kosovar.
Irlanda e Veriut e ngushtoi për herë të dytë rezultatin për 3 me 2, rezultat me të cilën u mbyll ndeshja. Golin e dytë për mysafirët e shënoi Daniel Ballard në minutën e 83-të.
Pas ndeshjes me Irlandën Veriore, Kosova ndeshjen e radhës e zhvillon si mysafire kundër Greqisë më 12 qershor.
Kosova është në Grupin e Dytë të Ligës C të Ligës së Kombeve bashkë me Qipron Jugore, Greqinë dhe Irlandën e Veriut. Pas kësaj ndeshjeje, Kosova vazhdon të mbetet në vendin e dytë në tabelë me 6 pikë, pas Greqisë e cila ka 9 pikë dhe para Qipros Jugore dhe Irlandës së Veriut me nga 1 pikë.