Agon Fehmiu
06 Janar 2016•Përditësim: 07 Janar 2016
PRISHTINË (AA) – Përfaqësuesja e Bosnjës dhe Hercegovinës në hendboll e ka mposhtur atë të Kosovës, me rezultat 29:33, në ndeshjen e xhiros së tretë të Grupit 1. kualifikues për Kampionatin Botëror në Hendboll për meshkuj “Franca 2017”, raporton Anadolu Agency (AA).
Përkundër atmosferës së bukur dhe përkrahjes së zjarrtë të rreth 800 shikuesve në palestrën Shani Nushi në Gjakovë, ekipi vendas nuk arriti t’i bëjë ballë mysafirëve nga BeH, kualiteti i të cilëve ishte evident dhe u reflektua edhe në rezultat.
Më i miri nga radhët e fituesve ishte Nikola Prce me 9 gola të shënuar kurse përkrahje pati edhe nga Dejan Malinoviq i cili shtoi 6 gola dhe Alen Ovçina i cili e përmbylli duelin me 5 të tjerë.
Nga ana tjetër, golashënuesi më i mirë për Kosovën ishte Deniz Terziqi me 9 gola, 2 prej të cilëve nga penalltitë ( 7 metra). Me lojë të mirë në këtë duel u dallua edhe Sharr Ramadani i cili shtoi 6 gola.
Hendbollistët e Bosnjës e Hercegovinës ishin më superior dhe dominuan nga fillimi deri në fund të ndeshjes. Ata në asnjë moment nuk i lejuan hendbollistët e selektorit kosovar, Taib Kabashit, që t’iu afrohen dhe t’iu rrezikojnë fitoren, që është e dyta në këtë fazë të kualifikimeve.
“Atmosfera e shkëlqyeshme, ndeshje e mirë, në fund interesante për publikun. Ne e kemi arsyetuar rolin e favoritit edhe pse në pjesën e parë lejuam që Kosova të kthehet në lojë dhe me këtë e zgjuam edhe publikun, Mendoj se Kosova sonte ka luajtur lojë të shkëlqyeshme ndoshta edhe mbi mundësitë e veta. Nga ana tjetër edhe neve na ka ardhur mirë që të zbresim në tokë para ndeshjeve të mëdha, kurse sa i përket pikëve të fituara është e vetmja gjë me të cilën jam i kënaqur sonte” tha selektori Markoviq.
Për Kosovën ishte kjo humbja e tretë rresht në garat kualifikuese për Botërorin në hendboll për meshkuj “Franca 2017”, që në fakt janë kualifikimet e para në të cilat merr pjesë Kosova, prej se Federata e Hendbollit e Kosovës është pranuar me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit, vitin e kaluar.
“Ka qenë një lojë e mirë , një lojë e shkëlqyeshme, unë them loja e dytë e mirë, pas asaj me Lituaninë kur rezultatin nga minus 7 e sollëm në 3-4 diferencë. Njëjtë ndodhi edhe me Bosnjën. Kjo tregon se Kosova ka përgatitje fizike, ka lojë, ka shpejtësi, ka kombinime por prapseparë nuk kemi pasur fat sepse kemi pas 5 lojtarë të lënduar. Ka qenë Egzon Gjuka, ndoshta ndër më të përgatiturit nga Kosova dhe ndoshta më i miri” tha Kabashi .
Kosova në këto kualifikime bënë pjesë në Grupin 1. përkrah Bosnjës e Hercegovinës, Lituanisë dhe Sllovakisë.
Aktualisht, Bosnja e Hercegovina është lider i grupit me 5 pikë (2 fitore dhe një barazim), por me një ndeshje më pak se Lituania e cila ka 3 pikë (1 fitore dhe 1 barazim) dhe ndeshjen e xhiros së tretë e zhvillon nesër mbrëma, si nikoqire e Sllovakisë. Pozitën e tretë në grup e zë Sllovakia me 2 pikë të mbledhura (1 fitore e 1 humbje) dhe një ndeshje më pak të zhvilluar, kurse në vendin e fundit është Kosova, pa fitore .
Ndeshjen e radhës Kosova e zhvillon të shtunën më 9 janar, përsëri me Bosnjën e Hercegovinën, kësaj here si mysafire në palestrën Mejdan në Tuzlla.