Admir Fazlagikj
20 Janar 2016•Përditësim: 21 Janar 2016
SHKUP (AA) - Një grup prej rreth 350 refugjatë presin në kampin në Gjevgjeli, ndërsa një grup tjetër ka mbetur i “ngujuar” në territorin grek, pasi më herët për një kohë të papërcaktuar u ndërpre lëvizja e tyre në kufirin ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, te porta 59, raporton Anadolu Agency (AA).
Kjo u konfirmua nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, nga ku për AA thonë se arsyet për këtë janë udhëzimet e vendeve evropiane në të cilat kërkohet që refugjatët, të kenë të nënvizuar në dokumentet e tyre destinacionin final, ndërsa për vendimin thonë se daton nga dita e martë.
“Të gjithë ata refugjatë të cilët nuk e kanë deklaruar destinacionin final të tyre gjatë regjistrimit në Greqi, do të ndalen në kampin në Gjevgjeli”, thonë nga MPB-ja.
Sipas MPB-së njëra nga arsyet është edhe ndërprerja e linjës hekurudhore Kroaci-Slloveni.
Në 24 orët e fundit u janë dhënë gjithsej 2 mijë e 300 vërtetime shtetasve të huaj, nga të cilët 953 janë të gjinisë mashkullore, 495 të gjinisë femërore dhe 852 fëmijë të cilët e shoqërojnë bartësin e vërtetimit, të cilëve u është dhënë vërtetim për qëllimin e shprehur për parashtrim të kërkesës për njohjen e së drejtës së azilit.
Siç njofton MPB-ja, sipas shtetësisë së personave, më të shumtë janë shtetasit e Sirisë 1.441, Afganistanit 495 dhe Irakut 364.