Fatjon Cuka,Malik Hasa
20 janar 2016•Përditësim: 21 janar 2016
TIRANË (AA) - Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, Italisë, Paolo Gentiloni dhe ai serb, Ivica Daçiç, pas bisedimeve të zhvilluara sot në Tiranë, në kuadër të takimeve të "Trilateralit" Shqipëri-Itali-Serbi, kanë mbajtur një konferencë për mediat, ku u ndalën në tematikat e diskutimeve të tyre. Daçic është pyetur rreth marrëveshjes me Kosovën për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ku ai ka theksuar se të dyja plalët duhet të jenë të përkushtuara ndaj këtij procesi, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryediplomati shqiptar, Bushati, ka theksuar se Italia ka marrëdhënie shkëlqyera si me Shqipërinë ashtu edhe Serbinë dhe është një vend sipas tij me peshë të konsiderueshme në politikën ndërkombëtare. “Është një mundësi dhe një shans më tepër për Shqipërinë dhe Serbinë dhe për politika më produktive në procesin e integrimit evropian. Folëm për krizat që përballet pellgu i Mesdheut, Ballkani, si kriza e refugjateve dhe nevojën për vazhdimin e përpjekjeve për t' u bërë ballë komponentëve ku shfaqet terrorizmi ndërkombëtar”- u shpreh Bushati.
Ndërkohë Daçiç ka theksuar se Italia dhe Serbia kanë rënë dakord për një partneritet strategjik mes tyre. Gjithashtu a është ndaluar edhe në vlerësimin e tij për marrëveshjen me Kosovën për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
“Në fakt nuk e kam firmosur unë marrëveshjen. Të dyja plalët duhet të jenë të përkushtuara ndaj këtij procesi. Asociacioni është një pjesë shumë e rëndësishme e marrëveshjes së Brukselit dhe një element i rëndësishëm, prandaj unë pres që në javët në vazhdim të kemi një progres të caktuar dhe të zbatojmë atë për çfarë është rënë dakord. Si Prishtina dhe Beogradi janë të detyruara të zbatojnë gjithçka. Serbia ka qenë shumë konstruktive në këtë dialog sepse ne mendojmë se ky dialog është formati i vetëm për të zgjidhur të gjitha çështjet që mbeten të pazgjidhura dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë format, potencialen e tij të plotë”- u shpreh Daçiç.
Ministri i Jashtëm italian, Paolo Gentiloni u shpreh në fjalën e tij se fakti që këto takime po ndodhin është konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera mes tre vendeve. Ai ka theksuar se TAP (Trans Adriatic Pipeline) është shumë i rëndësishëm pasi ky është, sipas tij, një projekt në të cilën vendet e Ballkanit madje edhe Serbia mund të jenë të interesuara për të. Sipas tij nëse nuk duhet të vihet në rrezik zona “Shengen”, duhet të ndryshohen rregullat e Dublinit.
“Angazhimi i Italisë nuk është i ri dhe nuk do të përfundojë nesër. Ai do të vijojë për të çuar më para këtë bashkëpunim. Italia ndihet krenarë që bashkëpunon në mënyrë që Serbia dhe Shqipëria të vijojnë në rrugën e tyre drejt BE-së. Inteligjenca mes nesh duhet të jete më e forte në lidhje me luftën kundër terrorizmit. Është e rëndësishme që këto tre vende të jenë në një pikë thelbësorë përsa i përket çështjes së migracionit. Një përpjekje e përbashkët europiane mund të përballojë sfidën e refugjatëve, siç është rrugëtimi që fillon nga Turqia dhe mbaron në vendet e BE-së.”- u shpreh kryediplomati italian.
Në kuadër të organizimit të takimit të dytë trilateral, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, zhvilloi një takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, Ivica Daçiç.
Gjatë takimit, të dy ministrat diskutuan mbi ecurinë e raporteve dypalëshe në dritën e zhvillimeve me të fundit dhe të shkëmbimit të vizitave të dy Kryeministrave, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç. Ministrat evidentuan nevojën për konkludimin e marrëveshjeve të dakordësuara në parim në fushat e zhvillimit ekonomik, lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe arsimit të lartë.
Gjatë ditës së sotme ministri i Jashtëm i Shqipërisë zhvilloi një takim të veçantë edhe me homologun e tij italian në kuadër të takimeve të "Trilateralit" Shqipëri-Itali-Serbi. Takimi i radhës mes tre homologëve është parishikuar të mbahet në Beograd.