Fatjon Cuka
21 shtator 2015•Përditësim: 21 shtator 2015
TIRANË (AA) - Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Nasip Naço, në mbështetje të procesit të ndërmarrë për dekriminalizimin dhe mirëfunksionimin e institucioneve shtetërore sot ka dërguar një kërkesë zyrtare ndaj shteteve të KiE-së dhe SHBA-së lidhur me rekordet penale të shtetasve shqiptarë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë thuhet se kjo kërkesë është në mbështetje të procesit të ndërmarrë për dekriminalizimin e institucioneve shtetërore si Kuvendi, organet e qeverisjes vendore, institucionet kushtetuese, administrata publike etj.
Kërkesa në fjalë i është drejtuar zyrtarisht ditën e sotme Ministrive të Drejtësisë dhe trupit diplomatik të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, për vënien në dispozicion të informacionit që disponohet lidhur me rekordet penale të të gjithë shtetasve shqiptarë që kanë qenë objekt i shqyrtimit apo i regjistrimit në zyrën e gjendjes gjyqësore të këtyre shteteve. Në këtë kuadër asistencë i është kërkuar edhe Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ministri Naço shpreh vendosmërinë e institucionit që ai drejton për të siguruar suksesin e realizimit në praktikë të kësaj nisme të Qeverisë Shqiptare, duke vlerësuar se informacioni që do të sigurohet do t’i shërbejë përmirësimit të sistemit për mbajtjen e rekordeve penale, përditësimit dhe mbrojtjes së këtyre të dhënave, si dhe rritjes të besimit të publikut, në veprimtarinë e organeve të shtetërore, institucioneve të pavarura apo të administratës publike”- thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë.
Kjo ministri pretendon se marrja e këtij informacioni do të mundësojë krijimin dhe përmirësimin e një baze të dhënash të përditësuara, ku do të jenë të evidentuar të gjithë shtetasit shqiptar që janë proceduar apo janë gjykuar në shtetet respektive për çështje të ndryshme penale apo administrative.
Ministria sqaron se kjo iniciativë bazohet në nenin 22 të “Konventës Europiane për Ndihmë të Ndërsjelltë Juridike në Çështjet Penale” dhe sipas saj do t’i shërbejë implementimit në praktikë të ligjit “Për legjitimitetin e personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.