Fatjon Cuka,Malik Hasa
08 tetor 2015•Përditësim: 09 tetor 2015
ELBASAN (AA) – Kur kanë mbetur dhe disa orë nga fillimi i ndeshjes së shumë pritur Shqipëri-Serbi, qyteti i Elbasanit është veshur kuq e zi, ku mijëra tifozë kanë mbushur këtë qytet, të mbuluar me simbolet kombëtare, raporton Anadolu Agency (AA).
Tifozët për të mbështetur kombëtaren shqiptare të futbollit në këtë sfidë të rëndësishme, kanë mbërritur nga të gjitha qytete e Shqipërisë, por edhe nga jashtë vendit, si nga Kosova, Maqedonia, si dhe diaspora.
Kastriot Vaslia nga Shkodra, është njëri prej tifozëve që ka mbërritur në Elbasan për të mbështetur kombëtaren në këtë sfidë. Ai në një prononcim për AA shprehet i bindur në fitoren e ekipit shqiptar.
“Unë vij nga qyteti i Shkodrës. Në ndeshjen e sotme do të fitojë Shqipëria. Jam shumë i bindur. Shpresoj tek Zoti që golin ta shënojë Taulant Xhaka. Ai që mbrojti flamurin shqiptarë në Beograd. Forca Shqipëria” -shprehet ai.
Behar Kovaçi tregon se është nga Kosova. Ai bashkë me një grup shokësh kanë ardhur nga Gjermania dhe Kosova për të ndjekur këtë ndeshje. Ai mes emocionesh shprehet se: “Shpresoj që Kombëtarja jonë sonte të fitojë. I urojmë të gjitha të mirat kombëtares dhe suksese. Nuk presim ndonjë konflikt. Ne jemi populli i qytetëruar. Ne e duam sportin, nuk duam konfliktet”.
Ndërsa tifozeria është e pranishme edhe në qytete të tjera të vendit, ku të organizuar do të shikojnë së bashku këtë ndeshje.
Ekipi kombëtar serb i futbollit do të niset gjatë ditës drejt Elbasanit, i shoqëruar nën masa të rrepta sigurie, ku në orën 20:45 do të përballet me ekipin kombëtar të futbollit të Shqipërisë.
Shteti shqiptar për të siguruar mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje ka angazhuar disa institucione të sigurisë dhe ruajtjes së rendit, si dhe mbi 2.300 forca policie, kryesisht në Tiranë dhe Elbasan, ndërkohë që do të jenë të gjitha mjetet dhe infrastruktura në dispozicion.