Fatjon Cuka
06 tetor 2015•Përditësim: 07 tetor 2015
TIRANË (AA) - Është zhvilluar në Tiranë seminari me temë "Forcimi i Pavarësisë së Trupave Zgjedhore: Shkëmbimi i përvojave dhe mësimeve të nxjerra mes Shqipërisë dhe Sllovenisë", raporton Anadolu Agency (AA).
Seminari zhvillohet në kuadër të projektit të Qendrës për Perspektivë Evropiane (CEP), “Forcimi i Pavarësisë së Trupave Zgjedhorë”, në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Shqpërisë dhe ka për qëllim të kontribuojë në ndarjen e përvojave dhe praktikave më të mira mes Shqipërisë dhe Sllovenisë.
Aktiviteti në fjalë mblodhi së bashku anëtarët dhe stafin administrativ të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë dhe atij të Sllovenisë, ekspertë të zgjedhjeve dhe menaxhimit elektoral me përvojë në rajon dhe më gjerë, përfaqësues të organizatave joqeveritare që punojnë në fushën e zgjedhjeve dhe proceseve zgjedhore, deputetë, përfaqësues të partive politike, ekspertë ligjorë, etj.
Pjesë e tij ishte edhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë, Lefterije Lleshi. Në fjalën e saj ajo u shpreh se zgjedhjet jo vetëm në Shqipëri, por kudo, janë një proces që nuk përfshijnë vetëm komisionet qendrore zgjedhore, por gjithë shoqërinë dhe sipas saj përfaqësimi në këtë tryezë është gjithëpërfshirës.
Gjithashtu në këtë aktivitet mbajti një fjalë edhe ambasadorja e Sllovenisë në Shqipëri, Lea Stančič, e cila u ndal në rëndësinë e shkëmbimit të përvojave mes Shqipërisë dhe Sllovenisë dhe mbështetjes se vendit të saj në këtë drejtim