Nazmi Abduramani
27 Janar 2016•Përditësim: 28 Janar 2016
SHKUP (AA) – Përfaqësuesit e autoshkollave në Maqedoni sot sërish dolën në protestë para qeverisë kundër Ligjit të ri për autoshkolla, i cili parasheh vendosjen e kamerave në vetura gjatë trajnimit të kandidatëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas tyre, që nga fillimi i protestës asgjë nuk ka ndryshuar ndërsa gjendja është alaramante tek i gjithë profesioni. Ata thonë se me këtë ligj janë prekur të gjithë autoshkollat, madje edhe ata që tentuan ta zbatojnë po hasin në vështirësi në çdo segment.
“Tashmë një muaj kaloi, kurse asnjë autoshkollë nuk mund të funksionojë ashtu siç duhet. Të punësuarit janë këtu ndërsa kandidatët pothuajse janë të robëruar, asnjëri nuk mund të kryejë trajnimin, as ata që kanë filluar nuk mund të fillojnë me trajnimin”, deklaroi Jonçe Apostollovski kryetari i Shoqatës Kombëtare të Autoshkollave dhe Instruktorëve.
Ai mëtej thekson se ka propozime për radikalizim të protestës nëse sërish haset në vesh të shurdhër, pasi është vënë në pikëpyetje vet ekzistenca e tyre.
“Çfarë do të ndërmerret kur të mbetesh në rrugë mund të supozohet. Mund të vjen deri te bllokimi i hyrjeve në qytet dhe i rrugëve ndërkombëtare. Këtu më unë nuk jam në gjendje të garantojë pasi në pikëpyetje është vënë ekzistimi dhe mbijetesa e tërë një profesioni”, tha ai.
Ndryshe, përfaqësuesit e autoshkollave kundërshtojnë nenin 284 nga Ligji i ri për siguri në komunikacion. Sipas këtij Ligji, autoshkollat në veturat e tyre duhet të instalojnë kamera gjatë trajnimit të kandidatëve, gjë e cila sipas instruktorëve është në kundërshtim me çdo standard evropian.