Kulturë

Prizren, fillon edicioni i 18-të i "DokuFest"-it

"Qyteti i Prizrenit veçanërisht në muajt e verës është shumë i gjallë në aspektin e atmosferës. Kinemaja në shtratin e lumit, kinemaja e kalasë, kinemaja shëtitëse do t'i japin një frymë ndryshe festivalit tonë", tha Nurkollari

Eren Beksaç   | 02.08.2019
Prizren, fillon edicioni i 18-të i "DokuFest"-it ( Eren Beksaç - Anadolu Agency )

Prizren

Në qytetin e Prizrenit sot filloi edicioni i 18-të i festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër, DokuFest, ku pritet të shfaqen mbi 280 filma, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kinemanë "Lumbardhi" në Prizren sot u bë hapja ceremoniale e festivalit DokuFest, në kuadër të të cilit 282 filma të përzgjedhur nga rreth 40 shtete do të shfaqen në kinema të ndryshme, të mbyllura apo të improvizuara në ambient të hapur në qendrën e qytetit historik të Prizrenit.

DokuFest për edicionin e sivjemë do të shfaq filma dhe aktivitete të ndryshme me temën "Truth Lies Here".

Drejtori artistik i DokuFest-it, Veton Nurkollari në një deklaratë për gazetarët, tha se DokuFest ka një avantazh për arsye se organizohet në Prizren.

"Qyteti i Prizrenit veçanërisht në muajt e verës është shumë i gjallë në aspektin e atmosferës. Kinemaja në shtratin e lumit, kinemaja e kalasë, kinemaja shëtitëse janë llojet e kinemasë që do t'i japin një frymë ndryshe festivalit tonë", u shpreh ai.

Nurkollari, shtoi mes tjerash se në festival do të marrin pjesë edhe 5 filma nga Turqia.

Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, theksoi se DokuFest e promovon në nivel global qytetin e Prizrenit.

"DokuFest në fushën e saj është në mesin e 10 festivalëve të parë në Evropë ndërsa në botë në mesin e 25 festivalëve të parë. Jemi krenarë që e mbështesim këtë festival", theksoi Haskuka.

Në kuadër të festivalit përveç shfaqjes së filmave e dokumentarëve organizohen edhe aktivitete të ndryshme si punëtori, debate, panele, ekspozita të fotografive, programe e shfaqje, ligjërata si dhe koncerte.

DokuFest do të zgjasë deri më 10 gusht dhe do të mbyllet me programin ku do të shpallen fituesit e filmave garues.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın