Handan Kazancı
06 Prill 2020•Përditësim: 06 Prill 2020
Një nga personat e fundit që janë shëruar nga koronavirusi i ri (COVID-19) në Turqi është një 95-vjeçar i cili është lëshuar nga spitali me duartrokitje në qytetin Izmir, raporton Anadolu Agency (AA).
Ismail Kirdar, i cili ishte duke qëndruar në një shtëpi të pleqve, u dërgua në spital për shkak të temperaturës së lartë më 25 mars. Në spital, ai rezultoi pozitiv në testin e koronavirusit.
Pasi pranoi trajtimin në një spital në Izmir, ai u shërua dhe u lëshua nga spitali.
"Xhaxhai Ismail ka mposhtur koronavirusin", tha një pjesëtar i stafit mjekësor, duke shtuar se "kjo duhet të jetë një shpresë për Turqinë".
Kirdar do të qëndrojë për 14 ditë në karantinë në shtëpinë e familjarëve të tij dhe gjendja e tij shëndetësore do të mbikëqyret nga stafi mjekësor.
Deri më tani, në Turqi janë raportuar mbi 30.200 raste të koronavirusit, ndërsa numri i vdekjeve është 649.
Pasi për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, COVID-19 është përhapur në mbarë globin, ndërsa bazuar në të dhënat e Universitetit John Hokins me qendër në SHBA aktualisht rastet e konfirmuara me këtë virus kanë tejkaluar shifrën 1.3 milionë, me mbi 72 mijë të vdekur dhe mbi 273 mijë të shëruar.