Ekip
06 Prill 2020•Përditësim: 06 Prill 2020
Franca njoftoi për të dhënat e reja lidhur me koronavirusin e ri (COVID-19), ku bëhet e ditur se janë regjistruar 833 vdekje të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 8.911, transmeton Anadolu Agency (AA).
Numri i rasteve të konfirmuara në Francë është rritur në 74.390, prej të cilëve 54.036 aktualisht janë shtruar në spital. Prej tyre, 7.072 janë në repartet e kujdesit intensiv, ndërsa 17.250 pacientë janë shëruar.
Në dy ditët e fundit, numri i vdekjeve në Francë shënonte ulje.
Në konferencën e tij të përditshme për media, Ministri i Shëndetësisë së Francës, Olivier Veran, njoftoi për një operacion ekzaminues të gjerë në shtëpitë e pleqve. Më herët, numrat që vijnë nga shtëpitë e pleqve nuk ishin llogaritur së bashku me numrin e përgjithshëm të vdekjeve.
"Në betejën që ne po zhvillojmë kundër koronavirusit, mbrojtja e masës më të rrezikuar është përparësia e qeverisë", tha Veran.
Pasi për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, COVID-19 është përhapur në mbarë globin, ndërsa bazuar në të dhënat e Universitetit John Hokins me qendër në SHBA aktualisht rastet e konfirmuara me këtë virus kanë tejkaluar shifrën 1.3 milionë, me mbi 72 mijë të vdekur dhe mbi 273 mijë të shëruar.