Agim Sulaj
03 qershor 2022•Përditësim: 03 qershor 2022
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës në raportin 24-orësh ka njoftuar se asnjë person i infektuar me koronavirus (COVID-19) nuk ka ndërruar jetë, derisa numri i viktimave mbetet 3.139, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) janë regjistruar 9 raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në 228.387.
Në 24 orët e fundit në institucionet shëndetësore janë testuar gjithsej 284 mostra të dyshuara për COVID-19 ndërsa deri më tani janë bërë gjithsej 1.841.667 teste.
Të dhënat e fundit njoftojnë se 12 persona të tjerë kanë fituar betejën me COVID-19. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 225.182, ndërsa numri i rasteve aktive është 56.
Sa i përket procesit të vaksinimit, gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 66 doza të vaksinës ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.829.328 doza të vaksinës. Deri më sot 823.188 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.