Bedrudin Brlyavac
23 tetor 2015•Përditësim: 23 tetor 2015
SARAJEVË (AA) - Biznesmenët e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Kosovës, sot në Sarajevë kanë nënshkruar Deklaratën për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave mes dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).
Në emër të Iniciativës për bisedime të hapura deklaratën e nënshkruan Mirsad Jasharspahiq, nga Oda Ekonomike e Federatës së BeH, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomikë Amerikane në Kosovë Arian Zeka, drejtoresha e Odës Ekonomike Amerikane në BeH, Violeta Çibukçiq dhe drejtori i Fondacionit Dokukinp, Darko Sokoviq.
Në deklaratë theksohet se përfaqësuesit e 49 kompanive më të mëdha të BeH dhe Kosovës, Oda Ekonomike e Federatës së BeH, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Amerikane në BiH, Fondacioni Dokukino dhe pjesëtarë të tjerë të Iniciativës për bisedime të hapura kërkojnë nga institucionet e BeH dhe të Kosovës që urgjentisht të propozojnë një zgjidhje konkrete në mënyrë që të mundësohet lëvizja tërësisht e lirë, të cilën e gëzojnë qytetarët dhe ekonomitë e vendeve të tjera të Evropës Juglindore.
Gjithashtu, mbështesin heqjen e regjimit të vizave para institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare dhe opinionit publik në BeH dhe në Kosovë.
Të dyja palët e takimit, i cili është pjesë e iniciativës rajonale për bisedime të hapura (Open Talks Initiative), dëshirojnë të dërgojnë një mesazh të qartë se heqja e regjimit të vizave do t'iu mundësonte dukshëm bashkëpunimin ekonomik.
Jasharspahiq pas nënshkrimit të Deklaratës rikujtoi faktin se Kosova është i vetmi vend në rajon me të cilin BeH ka suficit në shkëmbimin tregtar, duke theksuar se nuk duhet lejuar që ky treg të humbet.
Ai vuri në dukje se sot është nënshkruar një deklaratë mjaft e rëndësishme me të cilën kërkohet lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave ndërmjet BeH dhe Kosovës.
"Sot kemi nënshkruar deklaratën me të cilën kërkojmë nga institucionet zyrtare e të dy vendeve dhe nga komuniteti ndërkombëtar të bëjnë më shumë përpjekje në mundësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave ndërmjet këtyre dy tregjeve", ka thënë Jashaspahiq.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka ka deklaruar se pas nënshkrimit të kësaj deklarate është më e rëndësishme që sa më parë të shihen rezultate konkrete.
"Dje kemi patur takime mjaft të dobishme dhe duam që sa më parë të shohim rezultate konkrete. Të gjitha palët kanë thënë çfarë duan dhe jemi dakorduar se nuk duhet të kufizohet lëvizja e njerëzve mes BeH dhe Kosovës. Gjithashtu regjimi i vizave duhet shfuqizuar sa më parë. Është vështirë të pritet që potenciali ekonomik i të dy vendeve të shfrytëzohet në kushte ekzistuese. Flasim për humbjet në ekonominë e BeH dhe të Kosovës. Të gjitha raportet tregojnë se të rinjtë e këtyre dy vendeve shkojnë në Bashkimin Evropian. Thjeshtë, këto regjime nuk kanë kuptim", ka theksuar Zeka.
Në bilbiotekën e Gazi-Husrev beut në Sarajevo të enjten dhe të premten është mbajtur takimi i përfaqësuesve të kompanive më të mëdha të BeH dhe Kosovës. Ky është Forumi i parë i tillë pas vitit 2008, kur BeH vendosi viza për qytetarët e Kosovës. Statistikat tregojnë se me heqjen e regjimit të vizave do të rritej ndjeshëm shkëmbimi tregtar ndërmjet BeH dhe Kosovës.