Mustafa Talha Öztürk
18 Gusht 2022•Përditësim: 19 Gusht 2022
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se ishte një “ditë e vështirë” takimi me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti sot në selinë e shërbimit diplomatik të Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Një ditë e vështirë është prapa nesh. Ishte një ditë e vështirë për të gjithë qytetarët dhe për mbarë vendin. Nuk mund të them që ka përfunduar me sukses, por përmbahem nga komentet e tjera sepse shpresoj se është e mundur që me ndonjë mrekulli të arrijmë një zgjidhje kompromisi”, tha ai në një video të postuar në rrjetet sociale.
“Kjo është arsyeja pse unë do të vazhdoj të luftoj për paqen dhe stabilitetin”, shtoi Vuçiq.
Ai pritet të mbajë një fjalim për kombin brenda 48 orëve të ardhshme.
Më herët gjatë ditës ai thirri një takim me krerët politikë të serbëve të Kosovës.
Takimi është caktuar për të dielën në Pallatin e Serbisë në Beograd me përfaqësues politikë dhe institucionalë të serbëve.
Më herët gjatë ditës u mbajt takim midis presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit kosovar Albin Kurti nën kryesimin e shefit të politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell, pas tensioneve të fundit midis dy vendeve.
Takimi përfundoi pa rezultat, por Borrell tha se nuk do të dorëzohen dhe do të vazhdojnë diskutimet.
Një ditë më parë, dy liderët u takuan veçmas me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha se aleanca ushtarake është e gatshme të ndërhyjë për ruajtjen e stabilitetit.
Më 31 korrik pjesëtarë të komunitetit serb të cilët jetojnë në pjesën veriore të Kosovës me kamionë dhe makineri të rënda bllokuan rrugët që çojnë drejtë pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Bllokada e tyre u vendos para fillimit të aplikimit të masave reciproke nga ana e Qeverisë së Kosovës me kërkesën për dokumente shtesë për të gjithë shtetasit serbë në hyrje-daljet në Kosovë si dhe legalizimi i të gjitha targave që ende nuk janë “RKS”.
Pas tensioneve për shkak të barrikadave dhe konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, Qeveria e Kosovës mori përsipër ta shtyjë zbatimin e këtyre dy masave për 30 ditë.