Figen Shaban
21 Mars 2018•Përditësim: 21 Mars 2018
PRISHTINË (AA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Kuvendi thuhet se kryeparlamentari Veseli ka shprehur bindjen se marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi do të ratifikohet sot, duke i hapur kështu rrugë zhvillimit të shumë proceseve që kanë mbetur peng i këtij votimi.
Veseli ka thënë tha se pas miratimit të demarkacionit, "Kosovës do t’i hapet perspektivë e re integruese dhe zhvillimore, do të forcohet partneriteti me vendet e BE-së dhe qytetarët do të fitojnë të drejtën e tyre të merituar për të lëvizur lirshëm në Zonën Shengen".
“Tri vjet së bashku kemi përjetuar ato që nuk do duhej t’i përjetonim. Ka ardhur momenti të përfundojmë këtë dramë dhe kjo do të përfundojë sot. Ky takim me ambasadorët, edhe pse i zakonshëm, sot përçon mesazhin për Kosovën dhe qytetarët e saj se BE-ja është me ne dhe pret shumë nga ne. I sigurova partnerët tanë se do të punojmë fuqishëm në axhendën e integrimit euroatlantik”, ka thënë Veseli.
Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Apostolova, duke theksuar se dita e sotme është e rëndësishme për Kosovën, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që të votojnë marrëveshjen e demarkacionit, duke u mundësuar qytetarëve lëvizjen e lirë.
“Ju bëj thirrje që të votoni marrëveshjen. Kjo është një nga dy kushtet për heqjen e vizave. Mos i mbani qytetarët e izoluar”, është shprehur Apostolova.
Kujtojmë se sot vazhdon seanca e jashtëzakonshme për votimin e Projektligjit të marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e cila dje filloi në orët e pasditës ndërsa debati lidhur me këtë çështje ka zgjatur deri në mesnatë.