Sibel Vezaj
08 Shkurt 2017•Përditësim: 08 Shkurt 2017
PRISHTINË/BRUKSEL (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot ka udhëtuar për në Bruksel, ku do të pritet nga përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).
Me këtë rast ai sot zhvilloi një takim me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, me të cilin kanë biseduar për procesin e integrimeve evropiane të Kosovës.
Në kuadër të vizitës së tij, Thaçi pritet të takohet edhe me kryetarin e Parlamentit Evropian, Antonio Tajani nga i cili do të kërkojë vazhdimin e mbështetjes së Parlamentit Evropian për Kosovën, si dhe me presidentin e Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker.
Në një postim në rrjetet sociale të tij, Thaçi ka thënë se gjatë këtyre vizitave do të bisedohet për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Komisionit Evropian, për jetësimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe për të ardhmen e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).