Rahmi Gündüz
08 Shkurt 2017•Përditësim: 09 Shkurt 2017
PARIS (AA) - Presidenti palestinez, Mahmud Abbas, ka kërcënuar Izraelin se do të pezullojë bashkëpunimin në fushën e sigurisë, raporton Anadolu Agency (AA).
I ndodhur për një vizitë zyrtare në Paris, Abbas ka mbajtur një fjalim në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë në Senat. Ai pasi ka folur në lidhje me ligjin e miratuar në Parlamentin e Izraelit për 4 mijë ndërtesat në territoret private të palestinezëve, tha se "Nëse Izraeli do të vazhdojë ndërtimin e vendbanimeve, nuk do të kem zgjidhje tjetër përveçse pezullimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë me qeverinë e Izraelit. Ne jemi të përkushtuar drejt rrugës për sigurimin e paqes dhe të sigurisë, por edhe ne kemi një kufi."
Pasi ka vënë në dukje se Izraeli do të jetë i detyruar të përballet edhe me pasojat nëse do të vazhdojnë ndërtimet e paligjshme, Abbas është shprehur se "Nëse Izraeli intensifikon ndërtimin e njësive të vendbanimit, për këtë do të jetë përgjegjëse qeveria e Izraelit dhe jo unë."
Presidenti francez, François Hollande, në një deklaratë ditën e djeshme pas një takimi me Abbas, reagoi ashpër kundër Izraelit. "Ky ligj i cili do të përshpejtojë ndërtimet që Izraeli kryen në territoret palestineze, mund të hapë rrugën për aneksimin e territoreve nën okupim", ishte shprehur Hollande.
Gjithashtu duke paralajmëruar se ligji do të dëmtojë përpjekjet për zgjidhjen me dy shtete, Hollande ka theksuar se "Unë besoj se qeveria izraelite duhet të rishikojë këtë vendim".